Kreu i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj ka uruar punëtorët me rastin e 1 Majit, duke thënë së kjo festë e gjen Kosovën me të drejta të nëpërkëmbura për ta, përcjell InLajmi.
Haradinaj shtoi se dita e punëtorëve i gjen ata në një situatë të rëndë, të lënë pasdore, sipas tij Qeveria e Kosovës duhet t’i lërë fjalët e t’iu kthejë dinjitetin punëtorëve.
Postimi i plotë, i tij:
Një Maji, është ajo dita kur punëtorët kërkojnë të drejtat e tyre, e kur pushtetet përpiqen të tregojnë sa shumë kanë punuar për ta. Por, Një Maji Kosovën e gjenë me të drejta të nëpërkëmbura e të shkelura të punëtorëve. Pa Ligj të Pagave, pa rritje të pagave për këto një vit e sa, pa sigurim shëndetësor e pa shtesa të fëmijëve e pa shpresë për ditë më të mira.
Dita e punëtorëve, punëtorët kosovarë i gjenë në një situatë të rëndë. Qindra mijëra punëtorë të sektorit privat pothuaj se janë lënë pasdore, ndërkohë që edhe sektori publik me këtë shtrenjtimin enorm të jetesës, e ka të vështirë ta lidh fillimin me fundin e muajit!
Qeveria duhet t’i lërë fjalët e t’iu kthejë dinjitetin punëtorëve!
Urimi im për të gjithë punëtorët e Republikës së Kosovës në këtë 1 Maj është, Paçit ditë më të mira!/InLajmi/