I mbijetuari i masakrës së Mejës, Lush Krasniqi ka treguar për ditën tragjike të 27 prillit 1999 ku u vranë 376 persona.
“Masakra e Mejës përfshin 3 komuna. Në këtë masakër janë të dëmtuar banorët e 3 komunave, Gjakovë, Junik e Deçan. Gravitojnë diku mbi 20 fshatra të këtyre 3 komunave që kanë pësuar”, tha Krasniqi.
“Në orët e mëngjesit kemi dëgjuar krisma që për ne nuk ishin të befasishme, sepse në atë kohë nuk ishte çudi të dëgjoje krisma. Rreth orës 08:00 kemi parë tym nga djegia e shtëpive”, shpjegon ai.
“Ne si familje kemi qëndruar së bashku me disa familje pasi zona ku unë jetoj është shumë malore. Kemi qëndruar në shtëpi sepse nuk e dinim se çfarë po bëhej. Aty kemi qëndruar deri në orët e mbrëmjes, rreth perëndimit të diellit në shtëpitë tona. Pastaj jemi rrethuar nga ushtria jugosllave, kanë qenë njësi të policisë ushtarake, kanë qenë njësi e rregullt, s’kanë qenë të maskuar, kanë qenë me uniforma të rregullta dhe me hierarki të komandimit”, shtoi ai.
“Rreth orës 7 të mbrëmjes, më 27 prill ne na kanë rrethuar si familje. Kemi qenë rreth 50 anëtarë, edhe të familjeve të tjera. Kanë vrarë një fqinj timin, Pjetër Marashin, i cili ka rastis të jetë mysafir tek ne. Ai kur i pa forcat ushtarake iku sepse ai ishte i vetëm, e ne ishim me familje dhe s’kishim mundësi të largoheshim”, tha Krasniqi.
“Njësitet ushtarake atë natë kanë fjetur në shtëpitë tona. Nuk kanë lëvizur natën”, tregon Krasniqi në emisionin “Pressing” në T7.
“Gjithë këtë njësit ushtarak e ka udhëhequr Sasha Antiq, komandant i atij grupi”, theksoi ai.