Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Hajrulla Çeku ka thënë se ka pranuar një letër nga ministrja franceze e kulturës, Roselyne Bachelot-Narquin, e cila i ka konfirmuar vullnetin e qeverisë franceze për të nënshkruar marrëveshjen e bashkëprodhimit kinematografik me Kosovën, përcjell InLajmi.
Çeku njoftoi se kjo marrëveshje do të nënshkruhet në Festivalin e Kanës në muajin maj.
Sipas tij, kjo marrëveshje u ofron mundësi dhe mbështetje shtesë filmbërësve të Kosovës për bashkëpunime kinematografike me partnerët francezë.
Postimi i plotë i tij:
Jam tejet i gëzuar që sot edhe në kopje fizike kam pranuar letrën e ministres franceze të kulturës Roselyne Bachelot – Narquin, përmes së cilës ajo konfirmon vullnetin e qeverisë franceze për të nënshkruar marrëveshjen e bashkëprodhimit kinematografik me Kosovën. 🇽🇰🇫🇷
Marrëveshja përkatëse mes 2 shteteve tona do të nënshkruhet gjatë Festivalit të Kanës në pjesën e dytë të muajit Maj. Kjo marrëveshje u ofron mundësi dhe mbështetje shtesë filmbërësve të Kosovës për bashkëpunime kinematografike me partnerët francezë.
Dua të shpreh mirënjohjen time të thellë për zyrtarët e Ambasadës së Francës në Kosovë, duke filluar nga ambasadorja Marie-Christine Butel, këshilltari për kulturë Donato Giuliani, dhe atasheu për kulturë Valon Ibraj. Angazhimi i tyre këmbëngulës ka qenë vendimtar për jetësimin e kësaj marrëveshje bilaterale. /InLajmi/