Projektligji për tërheqjen e mjeteve nga Trusti deri në 30% u është shpërndarë sot të gjithë deputetëve të Kuvendit të Kosovës.
Kështu ka njoftuar iniciuesi i këtij Projektligji, Bekim Haxhiu, deputet nga Partia Demokratike e Kosovës, i cili ka deklaruar se përveç opozitës që e përkrah këtë nismë, është edhe një grup i Vetëvendosjes që janë “pro” këtij projektligji.
Rreth këtyre deklarimeve të Haxhiut dhe qëndrimeve të Vetëvendosjes, për lajmi.net, është prononcuar zëdhënësi i kësaj partie, Arlind Manxhuka.
Manxhuka për deklarimin e Haxhiut tha se ata, pra VV, tashmë e kanë demantuar deputetin e PDK-së, dhe se për çështjen e Trustit, VV-ja ka dhënë sqarim më herët.
Manxhuka po ashtu shtoi se nuk dëshiron të merret më shumë me Haxhiun, i cili, sipas Manxhukes, është jo serioz.
“Po ne e kemi demantuar njëherë atë. Kemi dhanë sqarim para një kohe për këtë farë teme se s’po dua me u marrë prapë me Bekim Haxhiun, se është jo serioz me u marrë me të”, ka thënë Manxhuka.
Duhet kujtuar se Lëvizja Vetëvendosje nuk e ka përkrahur iniciativën e Partisë Demokratike të Kosovës për tërheqjen e 30 % të kursimeve pensionale në Fondin Pensional të Kursimeve të Kosovës (Trust).
Arsyet se pse VV-ja ka refuzuar përkrahjen e këtij projektligji i kishte dhënë shefja e Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Mimoza Kusari, e cila kishte thënë se ka forma më të mira se si të tejkalohet kriza ekonomike.
“Jo nuk e ka mbështetjen tonë dhe nuk do ta ketë. Sepse vetë koncepti i Trustit ka të bëjë me ruajtjen e një mirëqenie të qytetarëve pas moshës 65 vjeçare. Na mbetet të diskutojmë me opozitën për modalitete tjera të ndihmës për qytetarët”, kishte thënë ajo.
Duhet shtuar se, bashkë me PDK-në, edhe partitë e tjera opozitare si Lidhja Demokratike e Kosovës, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës janë pro projektligjit që lejon tërheqjen e parave nga Trusti.