Ditën e djeshme ka ndodhur një aksident i rëndë trafiku në rrugën Prishtinë-Fushë Kosovë, ku një veturë ka goditur një këmbësore, por shoferi ka ikur nga vendi i ngjarjes, përcjell InLajmi.
Zëdhënësja e Policisë së Kosovës, Flora Ahmeti ka thënë për gazetën InLajmi se tashmë është identifikuar shoferi dhe automjeti, që e goditi këmbësoren dhe u largua nga aty.
Ahmeti tregoi se personi që ngaste automjetin është arrestuar.
Njoftimi i plotë nga Policia e Kosovës:
Sot rreth orës 09:40, nga Njësiti i hetimeve të Trafikut Rajonal të Prishtinës, është identifikuar personi dhe automjeti që ka qenë i përfshirë në aksidentin e ndodhur dje në rrugën Prishtinë-Fushë Kosovë, ku është lënduar rëndë një këmbësore. Fillimisht nga hetuesit është përcjelljë automjeti i dyshuar, derisa ka arritë në një autoservis në Çagllavicë. Ka qenë reagimi i shpejtë i hetuesve ai që ka mundësuar arrestimin e personit të dyshuar si dhe konfiskimin e automjetit të tipit Opel Corsa i cili ishte i dëmtuar. Pas përfundimit të procedurave të nevojshme policore, rasti do të përcillet në koordinim me prokurorin e shtetit.
Me datën 24.04.2022, rreth orës 11:00, në rrugën Prishtinë – Fushë Kosovë, ka ndodhur një aksident trafiku ku është përfshirë një automjet në levizje dhe një këmbësore. Si pasoj e aksidentit lëndime trupore ka pësuar këmbësorja e cila është dërguar për tretman mjekësor. Me rastin po merret njësiti i trafikut, të cilët përveç që po hetojnë rrethanat e këtij aksidenti, janë duke punuar në identifikimin e personit ngasësit të automjetit të përfshirë në aksident, pasi që i njëjti ka ikur nga vendi i ngjarjes. /InLajmi/