2 kandidatët për zgjedhjet presidenciale në France, Emmanuel Macron dhe Marine Le Pen kanë shkuar kokë më kokë në debatin televiziv para votimit që do të mbahet të dielën.
Macron, i cili kryeson në sondazhe, ishte i pari që hodhi dorashkat duke akuzuar rivalen e tij për lidhje të ngushta me Rusinë dhe dëshirën për të ndaluar veshjen tradicionale muslimane në publik.
“Ju jeni e varur nga qeveria ruse dhe e varur nga Putin”, u shpreh Marcon gjatë përballjes duke i përmendur një borxh prej 9 milionë euro që partia e Le Pen ka marrë nga një bankë çeko-ruse në 2014.
Le Pen, që shpreson të mos përsërisë rezultatin humbës në 2017, u justifikua duke thënë se nuk ishte ‘peng’ e Moskës por partia e saj vetëm sa ka marrë një hua në Rusi për shkak se bankat franceze refuzonin një gjë të tillë.
“Jam absolutisht dhe totalisht një grua e lirë”, u përgjigj Le Pen duke konfirmuar nga ana tjetër se mund të ndalojë mbajtjen e shamive për gratë në publik duke e cilësuar “uniformë të vendosur nga islamistët”.
Macron tha se një plan i tillë është në kundërshtim me Francën laike dhe mund të çojë në ‘luftë civile’ në një vend që ka pjesën më të madhe të popullsisë myslimane në Evropën Perëndimore.
Le Pen u zotua për ‘t’i dhënë fund emigrimit ‘anarkik dhe masiv në Francë me pretendimin se kjo ka përkeqësuar sigurinë publike dhe ka arritur krimet.
Ajo tha se Macron gjatë mandatit si president e ka përçarë thellë Francën, duke iu referuar protestave të ‘Jelek verdhëve’.
Macron në debatin e 2017 u pa si fitues pasi Le Pen u duk e frustruar dhe e papërgatitur, ndryshe nga debati i së mërkurës ku ishte e mirë pozicionuar nga fillimi deri në fund.
Këtë herë Macron ndryshe nga 5 vite më parë pati më shumë vështirësi pasi iu desh të mbronte punët gjatë detyrës si president ndërsa u kërkon votuesve një mandat të dytë.
Pavarësisht paraqitjes së fortë të Le Pen, sondazhet e televizioni francez, BFMTV dhe gazeta ‘L’Express’ tregon se Macron ishte fitues i debatit.
Votimi i organizuar nga kompania e njohur e sondazheve ‘Elabe’ tregon se 59% e votuesve janë më shumë të bindur nga Macron.
Debati televiziv mes 2 kandidatëve kryesorë në Francë mbahet prej thuajse 5 dekadash dhe është provuar si vendimtare për rezultatin e zgjedhjeve,.
Në 1974, konservatori Valery Giscard d’Estaing mundi socialistin Francois Mitterrand pasi kishte një performancë të mirë në debat.
Mitterrand kishte një paraqitje më të mirë në përballjen e 2, në 1981, duke fituar zgjedhjet.
Në atë kohë ishte hera e para që 2 kandidatë të njëjtë përballeshin 2 herë në garën presidenciale radhazi.
Në 2017, debati për Le Pen ishte një katastrofë duke çuar në një humbje të madhe në zgjedhje pasi Macron fitoi me mbi 66% të votave.
Në raundin e parë të këtyre zgjedhjeve, Le Pen mori 23.15% të votave përkundrejt Macron me 27.85%.
Sondazhet tregojnë se Macron në raundin e 2-të mund të marrë 53 deri në 57% të votave që do t’i siguronin një mandat të 2-të.