Partia Demokratike e Kosovës ka rimëkëmbur sektorin energjetik dhe e kemi harruar terrin, tha deputeti i PDK-së, Ferat Shala pas situatës së krijuar në Kuvendin e Kosovës pas dështimit të formimit të Komisionit Hetimor në lidhje me subvencionimin e energjisë.
Kështu ka deklaruar deputeti i këtij subjekti politik, Ferat Shala i cili pohoi se janë të obliguar si opozitë e bashkuar ta çojnë përpara deri në fund këtë kërkesë tyre.
Krejt kjo, sipas tij për shkak se nuk kanë rrugë tjetër dhe u është mbyllur mundësia e debatit dhe e drejta parlamentare po shkelet.
“Kjo është forma të cilën jemi të obliguar tashmë jo vetëm si parti politike por jemi të obliguar si opozitë e bashkuar ta çojmë deri në fund këtë kërkesë tonë sepse gjuha e komunikimit institucional, e parlamentarizmit, e drejta parlamentare po shkelet po largohet po anashkalohet s’kemi rrugë tjetër ne na është mbyllur mundësia e debatit e kërkesës së llogaridhënies ka qenë legjitime dhe kushtetuese”, tha ai.
Kryetari i Komisionit Parlamentar për Ekonomi shton se për insistimin në formimin e këtij komisioni nuk kanë pasur alternativë tjetër.
“Nuk është praktikë e re formimi i Komisionit nuk kemi pasur alternativë tjetër përveç kësaj të bashkohemi si opozitë dhe të vëmë këtë vijë të kuqe që nuk mund ta kalojnë më as pjesa e mazhorancës”, shtoi Shala.
Ndryshe, partitë opozitare të martën kanë lëshuar sallën e Kuvendit ku edhe kanë bërë të ditur se do të bëjnë bojkot të punës derisa të formohet ky Komision, shkruan Tëvë1.
Ndërkaq, deputetët e Lëvizjes Vetëvendosje e kanë kundërshtuar formimin e këtij Komisioni në rrethanat aktuale, pasi që thonë se “ka shkelje kushtetuese”




















