Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani Sadriu ka pritur në takim deputetin e Riksdag, Parlamentit të Mbretërisë së Suedisë, Magnus Jacobsson, përcjell InLajmi.
Presidentja Osmani dhe deputeti Jacobsson diskutuan për bashkëpunimin në mes të 2 vendeve tona, liberalizimin e vizave për qytetarët e Kosovës, rrugëtimin euro-atlantik të vendit tonë dhe situatën gjeopolitike në Evropë.
Deputeti Jacobsson vlerësoi punën e presidentes Osmani në lartësimin e zërit të viktimave të dhunës seksuale gjatë luftës në Kosovë, që shndërruan dhimbjen në forcë dhe mbesin figura shembullore të qëndresës. Kurse presidentja falënderoi deputetin Jacobsson në angazhimin e tij për të avokuar për liberalizim e vizave për qytetarët tanë dhe mbështetjen e tij për integrimin euro-atlantik të Kosovës.
Në takim u bisedua edhe për zhvillimet në kontinentin evropian dhe luftën gjenocidale të Putinit ndaj popullit ukrainas. Presidentja ritheksoi hapat e ndërmarra nga institucionet tona për t’i bashkërenduar përpjekjet me aleatët, duke përfshirë sanksionet kundër Rusisë. Presidentja gjithashtu përmendi agjendën destabilizuese të Serbisë kundër vendeve të rajonit si dhe rritjen e bashkëpunimit ushtarak, politik e ekonomik nga ana e tyre me Rusinë. /InLajmi/