Anëtarja e kryesisë së Partisë Demokratike të Kosovës, Besa Kabashi-Ramaj, në emër të grupit të PDK-së është shprehur se ndihen të shqetësuar në mënyrën së si është bërë hartimi i Strategjisë Kombëtare të Sigurisë nga Qeveria e Kosovës, raporton InLajmi.
Sipas saj ky dokument ka rëndësi të jashtëzakonshme për konsolidimin e sektorit të sigurisë në vend, e që kjo duhet të rishikohet se sipas saj ka shumë mangësi.
“Dokumentit i mungon vizioni dhe qartësia se ku do të shkojë në 10 vitet e ardhshme dhe si. Dokumenti tregon shenja të qarta të mungesës së memories institucionale dhe informacionit të përditësuar, gjë që nënkupton mungesën e një qasjeje gjithëpërfshirëse të qeverisë ndaj procesit të hartimit dhe rrjedhimisht një mospërfillje të Udhëzuesit për Hartimin e Dokumenteve Strategjike”, theksoi ajo.
Fajin për mos korrektësi në këtë dokument PDK e hedh tek Qeveria e Kosovës, pasi sipas tyre pi tregon mungesë serioze njohurish mbi temat që po mbulon.
“Qeveria Kurti, duke mos pasur program fare për sigurinë, nuk ka si të ketë përputhje me prioritete për këtë sektor”, shtoi ajo. “PDK e sheh si obligim t’i bëj publike vërejtjet e veta për këtë dokument strategjik dhe shpresojmë që ato të merren parasysh nga hartuesit e saj, në mënyrë që strategjia të jetë e kompletuar”, tha Kabashi-Ramaj. /InLajmi/