Kryetari i Partisë Socialdemokrate, Dardan Molliqaj ka njoftuar se ministres së Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, Arbërie Nagavcit i është dorëzuar letra për dorëheqje, e cila është bërë gati nga PSD-ja, por që mungon vetëm nënshkrimi i saj, përcjell InLajmi.
Sipas Molliqaj, Gjykata Kushtetuese ka konstatuar se ajo ka shkelur 3 prej dokumenteve kyçe që ruajnë demokracinë në Kosovë; Kushtetutën, Kartën Evropiane për Vetëqeverisje Lokale dhe Ligjin për Vetëqeverisje Lokale.
Kreu i PSD-së konsideron se këto veprime të Nagavcit kanë shtrembëruar vullnetin e qytetarëve të Kosovës, si dhe kanë dëmtuar potencialin e reformës në arsim.
Molliqaj thekson se për këto veprime Nagavci duhet të jape dorëheqje të menjëhershme.
Postimi i plotë i tij:
Sot, ministres Nagavci ia dorëzuam letrën e dorëheqjes së cilës i mungon veç nënshkrimi i saj.
Në përvjetorin e Kushtetutës së Kosovës, Gjykata Kushtetuese ka konstatuar që ka shkelur 3 prej dokumenteve kyçe që ruajnë demokracinë në Kosovë; Kushtetutën, Kartën Evropiane për Vetëqeverisje Lokale dhe Ligjin për Vetëqeverisje Lokale.
Veprimi i saj ndërhyrës ka shtrembëruar vullnetin e qytetarëve të Kosovës dhe ka dëmtuar potencialin jashtëzakonisht të dobishëm të reformës në arsim. Për veprimet e saja, Ministrja Nagavci duhet të jep dorëheqje të menjëhershme. /InLajmi/