Ish-kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti ka reaguar ndaj vendimit të Qeverisë së Kosovës për të ndarë një shumë prej 100 eurosh për disa kategori të caktuara, përcjell InLajmi.
Hoti këtë vendim e sheh si reflektim të varfërisë së politikave fiskale dhe sociale të Qeverisë së Kosovës, për të mbrojtur standardin e jetës së familjeve.
Hoti megjithëse e quan të dobishme këtë ndihmë, ai përsëri thotë se kjo nuk e zgjidh problemin e rritjes së çmimeve.
E deputeti i LDK-së thotë se qysh kur ka filluar të shfaqet kriza është propozuar nga ta që të mos rritet çmimi i energjisë, të bëhet tërheqja e një shume të kursimeve pensionale, si dhe të bëhet rritja e pagës minimale dhe e subvencioneve në bujqësi.
Postimi i plotë i tij:
Vendimi i sotëm reflekton varfërinë e politikave fiskale dhe sociale të Qeverisë për të mbrojtur standardin e jetës së familjeve. Kjo ndihmë e njëhershme prej 100 euro, sado e dobishme, nuk e zgjidh problemin e rritjes së çmimeve. Për më tepër, kjo ndihmë nuk përfshinë mijëra të papunë dhe ata që merren me bujqësi.
Duhet ndërmarrë masa afatgjate, të cilat i kemi propozuar kur filloi të shfaqet kriza:
(i) Nuk është dashur të rritet çmimi i energjisë.
(ii) Duhet të indeksohen përfitimet pensionale dhe sociale për normën e inflacionit të çmimeve të produkteve ushqimore bazike.
(iii) Duhet të rriten subvencionet në bujqësi.
(iv) Duhet të rritet paga minimale
(v) Duhet konsideruar tërheqjen e një shume të kursimeve pensionale. /InLajmi/