Fëmija që u shkelë me veturë dje në lagjen “Arbëria” të Prishtinës nga ministrja e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, Rozeta Hajdari, është trajtuar në Klinikën Emergjente të QKUK-së. Por, pas trajtimit që ka marrë nga stafi shëndetësorë, fëmija është liruar në shtëpi.
Drejtori i Klinikës së Emergjencës, doktor Naser Syla, ka folur për gjendjen shëndetësore të fëmijës, por i njëjti nuk ka dhënë detaje të hollësishme. Krejt çka ka konfirmuar Syla është se fëmija pas trajtimit mjekësor është liruar në shtëpi.

“U trajtu në Emergjencë dhe ka shku te shpija”, tha Syla shkurt për Gazetën Express.
I pyetur se çfarë lëndime trupore ka pësuar fëmija, ai tha: “ E ka kry trajtimin në Emergjencë dhe u shku te shpija”.
Tutje, ai kërkoi që të mos telefonohet nga gazetarët në ditë pushimi.
Aksidentin në fjalë e ka konfirmuar edhe policia në raportin e saj 24-orësh.
“AKSIDENT TRAFIKU ME LËNDIME /Rr. Vicianum, Prishtinë (NN) 10.04.2022 – 12:25. E dyshuara femër kosovare përderisa ishte duke drejtuar veturën, godet viktimën mashkull kosovar. Viktima ka pranuar tretman mjekësor”, thuhet në raportin e PK-së.





















