Kryetari i Aleancës Kosova e Re, Behgjet Pacolli, ka reaguar pas raportimeve se ish-prokurori i njohur zviceran, Dick Marty, është nën rrezikun e një plani për t’u vrarë nga inteligjenca serbe.
Pacolli tha se kërcënim me jetë ndaj Martyt, atëherë ai duhet të tregojë “si e krijoi narrativën e tij të famshme të organeve, për çka z. Hashim Thaqi sot është në paraburgim në Hagë”.
“Nëse është e vërtetë se Dik Marti po kërcënohet nga inteligjenca serbe, është koha e duhur qe ai të tregoi se si e krijoi narrativën e tij të famshme të organeve, për çka z. Hashim Thaqi sot është në paraburgim në Hagë”.
Sipas televizionit publik zviceran, ka 16 muaj që ish-raportuesi në Këshillin e Evropës, Dick Marty, është duke u mbrojtur nga forcat zvicerane, pasi që ka marrë kërcënime nga elementë radikalë të shërbimit inteligjent serb.
E përditshmja zvicerane Tagesanzeiger, ka raportuar se Këshilli Federal ka mobilizuar edhe ushtarët elitë për të mbrojtur Dick Martyn, pasi që rreziku për jetën e tij është shumë i madh, transmeton Gazeta Express.
Marty, në Ballkan njihet më së miri, për hetimin e krimeve të luftës në Kosovë. Tani, ai është nën mbrojtje 24-orëshe nga forcat ushtarake zvicerane.
Vetë Marty ka folur për këtë situatë, shkruan Gazeta Express
“Kërcënimi me sa duket vjen nga qarqe të caktuara të shërbimeve të inteligjencës serbe, të cilët i kërkuan botës së krimit, vrasësve profesionistë, të më likuidojnë thjesht për t’ua vënë fajin kosovarëve. Sa për vrasësit, ata do të ishin pjesë e botës së krimit. Ka veteranë që specializohen në vrasje me urdhër, vrasje të porositura dhe kështu që nuk duhen shumë para për të vrarë dikë”, ka theksuar ai.