Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla ka thënë se dita e sotme sa i përket shkuarjes së serbeve në Serbi për të votuar është përmbyllur suksesshëm, duke theksuar se në pikat kufitare nuk ka ndodhur asnjë incident, përcjell InLajmi.
Sveçla tha se qytetarët serb të Kosovës kanë shfrytëzuar të drejtën e tyre të votimit në komunat e Serbisë pa asnjë pengim nga ana e institucioneve apo qytetarëve tanë.
E krejt ky sukses sipas tij i dedikohet policëve tanë, kolegëve të Enver Zymberit, i cili po të mos vritej për shtrirje të sovranitetit e integritetit territorial, do të festonte ditëlindjen e tij.
Në fund ministri i uron ditëlindjen Enver Zymberit, si shenjë falënderimi për qytetarët që po i jetojnë këto ditë, e që ai i cilëson si ditë të triumfit të shtetit tonë.
Postimi i plotë i tij:
Me kapacitete të shtuara policore në të gjitha komunat dhe në pikat kufitare për të mos krijuar pritje të gjata, pa asnjë problem apo incident, po e përmbyllim suksesshëm këtë ditë.
Siç jemi zotuar dhe përkushtuar, qytetarët serb të Kosovës kanë shfrytëzuar të drejtën e tyre të votimit në komunat e Serbisë pa asnjë pengim nga ana e institucioneve apo qytetarëve tanë.
Suksesi i ditës së sotme është në masën më të madhe falë punës së policëve, kolegëve të Enver Zymberit i cili po që se nuk do të vritej në përpjekjet për shtrirje të sovranitetit e integritetit territorial, do të festonte ditëlindjen e tij. Profesionalizmi i gjithë zyrtarëve policor sot, është urimi më i mirë që do të mund ta merrte ai.
Gëzuar ditëlindjen Enver Zymberi, nga të gjithë kolegët e tu që me përkushtim të madh ja dolën sot dhe nga qytetarët që po i jetojnë ditët e triumfit të shtetit tonë. /InLajmi/