Një pilot 52-vjeçar është paraqitur në Gjykatën e Magjistraturës në Northampton, pasi akuzohet për transportim të emigrantëve të paligjshëm.
Sipas mediave të huaja mësohet se, Richard Styles, është arrestuar ditën e enjte gjatë një operacioni të udhëhequr nga Agjencia Kombëtare e Krimit, duke transportuar nga Belgjika 4 shtetas shqiptarë.
Në pranga të policisë gjithashtu kanë rënë 4 shqiptarët dhe shoferi i cili do të shoqëronte shqiptarët.
Si Styles ashtu edhe shoferi i taksisë, një burrë 42-vjeçar nga Tooting në Londrën e Jugut, u morën në pyetje nga hetuesit e NCA, shkruan ABC News.
Taksisti është liruar me kusht, në pritje të hetimeve të mëtejshme, ndërsa 3 burra dhe një grua të gjithë shtetas shqiptarë të moshës nga 21 deri në 64 vjeç, mbeten nën kompetencat e emigracionit.