Ish-kryeministri Sali Berisha tha se nuk ka ndërmend të largohet nga PD vetëm sepse këtë gjë e ka kërkuar Amerika.
Gjatë një takimi të zhvilluar me mbështetës të tij në Përmet, Berisha tregoi çfarë i kishte thënë kryetarit të komanduar të PD, Enkelejd Alibeaj kur ky i fundit i kishte përmendur shpalljen non grata.
Ai kujtoi se në vitin ‘97, gjithë bota ishte kundër tij dhe liderë të njohur botërisht i kishin kërkuar të largohej nga PD, gjë që s’e kishte pranuar.
“Alibeajt i thashë: në ‘97 ishte gjithë bota kudër meje dhe më thoshin të lëshoja PD. Po si mund ta lëshoja unë PD”, tha Berisha.
Ish-kryetari i PD paralajmëroi organizimin e protestave të mëdha në të gjithë vendin kundër qeverisë, që sipas tij po vjedh qytetarët.
Ai kërkoi bashkimin e PD për të qenë një opozitë e vërtetë si e vetmja mënyrë për të arritur qëllimet e veta, shkruan EuroNews.Albania.
“Ne duhet të jemi në rrugë, në protestë, në përballje dhëmbë më dhëmbë me këtë qeveri. Por që të bëjmë këtë ne duhet të bashkohemi. Në 8 vjet demokratët kanë bërë sakrifica të jashtëzakonshme, këto janë thirje për bashkim. Patëm një krizë të rëndë, por ajo po shkon drejt zgjidhjes. Njeriu që e krijoi siç tha vete, dha dorëheqjen”, tha Berisha.