KDI, D4D, D+, FOL dhe Çohu të gjitha këto organizata të shoqërisë civile përmes një konference këtë të mërkurë kanë kërkuar nga Kuvendi i Kosovës që ta miratojnë Projektligjin për financimin e subjekteve politike, raporton InLajmi.
Eugen Cakolli, si përfaqësues i këtyre organizatave tha se kjo nuk është hera e parë por e 3-ta me radhë që ky Projektligj nuk po miratohet.
“Kuvendi i Kosovës pritet që sot ta shqyrtojë Projektligjin për financimin e subjekteve politike, që në fakt është hera e 3-të, përkatësisht legjislatura e 3-të që ky Projektligj vjen në procedurë ligjvënëse, mirëpo si rezultat i dështimeve për miratimin e tij, ende nuk kemi projektligj për financimin e subjekteve politike i cili i përshtatet kontekstin e aktualitetit politik”, tha ai.
Sipas Cakollit dështimet e një pas njëshme për të miratuar këtë projektligj po ndikon direkt në cenimin e transparencës në llogaridhënie nga subjeketet politike, pasi sipas tij ato marrin 4.2 milionë euro nga buxheti i Kosovës.
“Dështimi për shqyrtimin dhe miratimin e këtij ligji tejet të rëndësishëm ka cenuar vazhdimisht transparencën dhe llogaridhënien financiare të subjekteve politike, të cilat marrin çdo vit mbi 4 milionë euro nga buxheti i shtetit, si dhe paraqet regres në zbatimin e Agjendës së Reformave Evropiane (ERA)”.
Ndërsa si përfundim krejt kjo zvarritje e mos miratimit të këtij projektligji është e paarsyeshme, dhe veç kësaj po dëmton integritetin e subjekteve politike dhe besimin e publikut ndaj tyre.
“Ne, organizatat e shoqërisë civile, vlerësojmë që zvarritja e mëtutjeshme e këtij projektligji është e paarsyeshme, si dhe dëmton integritetin e subjekteve politike dhe besueshmërinë e publikut ndaj tyre. Ne mirëkuptojmë qëndrimet e ndryshme që mund të kenë subjektet politike lidhur me projektligjin si tërësi apo pjesë të caktuara të tij, megjithatë, kërkojmë që këto qëndrime të shprehen dhe të përkthehen në kontribut gjatë shqyrtimit të projektligjit në mes të 2 leximeve”. /InLajmi/