Shefi i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike të Kosovës në Prishtinë, Leotrim Retkoceri, është i bindur se propozimi për shtatoren e komandantit legjendar, Adem Jashari, do të gjejë zbatim nga qeveria aktuale e kryeqytetit.
Kjo për faktin se ka marrë mbështetje edhe nga partneri i koalicionit, Lidhja Demokratike e Kosovës.
“Tash kanë mbetur vetëm procedurat që duhet me u ndjek me u formu një komision prej arkitektëve për t’u bërë më e mira e mundshme, ashtu siç e meriton komandanti legjendar”, tha ai.
Edhe nga pushteti i kaluar, qysh në vitin 2019, ishte paraparë të niste ngritja e shtatores, por nuk u bë gjë, tha ai për emisionin “Ju flet Prishtina”.
E lokacionin që gjendet midis Komunës së Prishtinës dhe Kuvendit të Kosovës, e kishte zgjedhur vetë familja Jashari, dhe atë me kërkesë zyrtare të dorëzuar te ish-kryetari, Shpend Ahmeti.