Lufta po na ndikon dhe nëse duam të triumfojmë duhet të paguajmë pjesën tonë. Kështu e justifikoi rritjen e çmimeve kryeministri Edi Rama në panelin “Rrugët Rajonale dhe Globale për Paqe dhe Prosperitet”, pjesë e Forumit të Diplomacisë me gazetaren Maria Ramos. Sipas tij kjo është një sprovë për të qëndruar pavarësisht çmimit.
“Qysh me nisjen e luftës me rritjen e çmimeve e kupton që bota është bërë shumë e vogël. Kishim pandeminë, luftën dhe paralelisht energjinë. Kriza e energjisë nisi më parë kështu që simptomat u shfaqën muaj para luftës dhe përfshirja e Rusisë e çoi në tjetër nivel krizën energjetike në formën e mungesës së ofertës. ajo që po vjen është e vështirë. Nuk ka shumë për të thënë. Ne mund të kemi dallime mendimesh, por jo faktesh. Është e vështirë të gjemë një pikë të përbashkët. Fakt është që lufta po na ndikon dhe nëse duam që vlerat tona, parimet, standardet tona apo mënyra jonë e jetesës të triumfojë na duhet të jemi gati të paguajmë pjesën tonë të çmimit. Nuk mund të ndodhë që nga njëra anë gjithçka prej tyre të triumfojë pas pandemisë po shihnim rimëkëmbje dhe kthehemi pas që në disa aspekte është një situatë më e zymtë se pandemia. Kjo është sprovë për karakterin tonë bindjen dhe kapacitetin për të qëndruar pavarësisht çmimit. Kjo nuk ka të bëjë me vendet e përfshira. Të gjithë me apo pa sanksione kanë sot një problem dhe ne po shohim të njëjtën gjë që pamë me pandeminë. Që vendet u tërhoqën dhe u mbyllën në vetvete”.
Sipas Ramës, të gjitha vendet që i janë bashkuar sanksioneve të Rusisë po ndjejnë goditjen e çmimeve por durimi sipas tij do të jetë përcaktues për këtë luftë, shkruan A2CNN.
“Ne jetojmë në kohëra ku të jesh politikan dhe të thuash gjëra të vërteta njerëzit do të tregohen dyshues. Jemi në kohë që edhe ajo që është e dukshme është e vështirë të pranohet dhe jo më kur përballemi me pasojat e para të luftës, ky nuk është dokumentar apo film, por luftë e vërtetë. Ka mijëra gra e fëmijë të cilët janë në lëvizje për të dalë nga qytete që bombardohen për të dalë nga vendi i tyre dhe ka burra e djem që duhet të qëndrojnë. Ne kemi vendosur të jemi pjesë e kësaj, NATO ka vendosur të jetë pjesë e kësaj duke u bashkuar me sanksionet, gjithashtu dhe vende të largëta kanë vendosur të jenë pjesë e kësaj po ndjejnë goditjen e parë në formën e çmimeve të larta. Do të jetë mjaft përcaktuese për këtë luftë shkalla e durimit të njerëzve në atë anë që është në mbështetje të Ukrainës, që e ndjen luftën përmes ekraneve dhe jo dhimbjen e shkatërrimit”.