Ish-zëdhënësi i NATO-s gjatë periudhës së luftës në Kosovë, Jamie Shea e ka vlerësuar faktin që Kosova, për dallim nga Serbia, është rreshtuar në anën e shteteve evropiane, duke i vendosur sanksione Rusisë. Ai thotë se anëtarësimi i Kosovës në NATO është i mundshëm, ndonëse, sipas tij, fillimisht duhet zgjidhur çështjen e mosnjohjes nga katër vende anëtare të Aleancës Veri-Atlantike
Shea ka thënë se nëse Serbia dëshiron t’i bashkohet Bashkimit Evropian, atëherë duhet të veprojë njëmend si një vend evropian.
“E dimë shumë qartë se Rusia ka bërë përpjekje për të rritur ndikimin e saj në rajon. Në vitet e fundit e kemi parë këtë në bashkëpunimin e afërt mes Rusisë dhe Serbisë, pastaj me Vuçiqin, i cili i ka zgjedhjet në fillim të prillit dhe që ka refuzuar që të implementojë sanksionet e BE-së ndaj Rusisë, edhe pse Serbia dëshiron t’i bashkohet BE-së. Por, unë do të thosha se nëse dëshiron t’i bashkohesh BE-së duhet të fillosh të veprosh si një shtet evropian dhe të shfaqësh solidaritetin me partnerët evropianë”, ka theksuar Jamie Shea.
Ai nuk sheh rrezik të përhapjes së konfliktit nga Ukraina në Ballkanin Perëndimor, por thotë se duhet pasur kujdes nga përpjekjet ruse për destabilizim.
“Është shumë mirë që Kosova ka vendosur sanksione ndaj Rusisë dhe po e përcjellë këtë linjë evropiane. Kemi parë ndikimin e Rusisë edhe tek Milorad Dodiku në Republika Srpska. Normalisht kemi probleme në Bosnjë në organizimin e zgjedhjeve e gjëra tjera. Edhe pse nuk shoh përhapje të konflikit në Ballkanin Perëndimor, ne duhet të jemi të kujdesshëm në kuptimin e përpjekjeve ruse për të reaguar ndaj sanksioneve ndërkombëtare. Pra, Rusia mund të përpiqet ta destabilizojë rajonin, andaj pikërisht për këtë arsye e mirëpres faktin se dje në Prishtinë e patët për vizitë edhe ministren e jashtme gjermane, e cila po i bën vizitë shteteve të Ballkanit. Kjo dëshmon që BE po rrit praninë e saj në vendet e Ballkanit Perëndimor, prandaj është gjë e mirë që po ballafaqohemi me ndikimin rus në rajon”, ka nënvizuar Jamie Shea.
Shea ka folur edhe për lëvizjet e fundit të Kosovës për anëtarësim në NATO.
Ish-zyrtari i lartë i NATO-s u shpreh se Kosova në NATO është e mundshme, ndonëse fillimisht duhet zgjidhur çështjen e mosnjohjes nga katër vende anëtare të Aleancës Veri-Atlantike.
Ndër të tjera, Shea foli edhe për numrin e madh të të dërguarve specialë për dialogun Kosovë-Serbi.
Sipas tij, është mirë që janë kaq shumë të dërguar për këtë proces, katër deri më tani e që janë nga BE-ja, SHBA-ja, Britania e Madhe dhe Gjermania, sepse kjo tregon interesim për rajonin.
Jamie Shea, nga viti 1980 deri në vitin 2018, shërbeu në pozita të ndryshme në selinë e NATO-s në Bruksel.
Gjatë luftës në Kosovë, ai ishte zëri i Aleancës Veri-Atlantike, për të cilin kosovarët ruajnë respekt të veçantë, në intervistë për RTK.
Aktualisht ai është profesor në një universitet në Angli dhe ligjërues në shumë forume ndërkombëtare për sigurinë.