Ish-kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Isa Mustafa në një intervistë ekskluzive ka folur për procese e probleme të shumta me të cilat po përballet populli por edhe vendi në përgjithësi.
Mustafa ka folur po ashtu për dialogun me Serbinë dhe qasjen e qeverisë aktuale, pa lënë anash as ngecjet në njohje.
Krejt në fund, ish-kreu i LDK-së ka dhënë opinionin e tij edhe për skandalin apo FAKE-NEWS-in e zv.kryeministrit Besnik Bislimi karshi përfaqësuesit të Këshillit Evropian.
Më poshtë intervista e plotë:
Periskopi:Si e vlerësoni qeverisjen e kryeministrit Albin Kurti deri tash?
Isa Mustafa:Qeveria ka pasur mjaft sfida të cilat nuk ka arritur t’i menaxhojë. Është sfiduar me rënien në rrjetin e shumë premtimeve të saj dhe si rrjedhojë ka humbur shumë kohë duke u arsyetuar dhe duke fajësuar të tjerët. Nuk ka treguar performancë në shumicën e fushave.
Periskopi: Cili është komenti juaj për rritjen e çmimeve dhe mos reagimin me ndonjë masë nga Qeveria Kurti?
Isa Mustafa:Qeveria ishte observuese e rritjes së çmimeve, kurse te çmimet e energjisë mori rol aktiv, edhe pse nuk i takon. Kur çmimet kapërcyen çdo kufi dhe Kosova u bë kampione e ngritjes së çmimeve pa asnjë bazë, qeveria u kujtua se edhe kjo është punë e saj. Shumë vonë, sepse qytetarët u dëmtuan. Përpos masave ligjore kundër spekulantëve dhe abuzuesëve, qeveria nuk u shqua me asnjë strategji se si të krijojë balansë në treg dhe të stabilizojë çmimet.
Periskopi: Si e vlerësoni procesin e dialogut Kosovë-Serbi aktualisht?
Isa Mustafa:Dialogu është për tema teknike, gjë që më shumë i përgjigjet Serbisë sesa neve, sepse ka interes të blejë kohë. Ndërkaq, Kosovës i nevojitet dialog për njohje reciproke. Fitohet përshtypja se institucionet aktuale po i frikësohen këtij dialogu.
Periskopi:Kryeministri Kurti e patë përmendur se do të zhvillojë në nëntor të vitit të kaluar një vizitë në SHBA dhe ende nuk u realizua. Pse mendoni që ai ende një vizitë të parë zyrtare nuk e ka bërë deri tash në Amerikë?
Isa Mustafa:Vizitat në SHBA dhe as protokolet nuk i cakton Kosova, por SHBA-të. Duhet të ketë një interesim të tyre, një vlerësim apo pritje nga kjo qeveri që të organizohen takimet. Këto takime janë më se të nevojshme për Kosovën.
Periskopi:Cilët janë hapat që Kurti duhet të ndërmarrë karshi situatës me çmimet që janë ngritur në Kosovë?
Isa Mustafa: Lypset një strategji me masa të përkohshme të politikave fiskale dhe partneritet tregtar me vendet nga të cilat furnizohet vendi ynë.
Periskopi:Ku është Kosova në arenën ndërkombëtare sa i përket njohjeve të reja?
Isa Mustafa:Znj.Gërvalla ka folur për Greqinë dhe mundësinë për njohjen e Kosovës si shtet nga Greqia, duke theksuar se ‘’Nuk jam Burdush as Nostradamus për ta ditur se kur do të na njohë Greqia”, ka thënë ministrja Gërvalla. Nuk ka njohje pa punuar ngushtë me partnerët strategjikë, sidomos me SHBA. Edhe çështja e njohjes nga Greqia është e lidhur me këtë. Çfarë ndodhi me gazsjellësin Amerikan? Dikush duhet të japë përgjigje.
Periskopi:Si e komentoni skandalin apo FAKE-NEWS-in siç e ka vlerësuar mediumi ynë të zv.kryeministrit Bislimi lidhur me takimin që kishte me zëvendëssekretarin e Këshillit të Evropës, Bjorn Berge?
Isa Mustafa:Nuk është vetëm z. Bislimi. Ka shumë huqje e shumë huqës e huqëse. Huqjet janë rezultat i politikave për të kënaqë veshin vendor. Sepse, për fat të keq qeveritarët dhe jo vetëm ata janë më shumë të interesuar të shprehen ashtu siç e do populli sesa t’ia thonë të vërtetën popullit. Edhe kanonadat për anëtarësim në NATO dhe në BE janë të logjikës së njëjtë. Më mirë do të ishte të flitet haptas dhe të punohet me përkushtim për Këshill të Evropës, për NATO dhe BE, sepse ka rregulla dhe kritere të cilat nuk i bëjmë ne por ata.