Në Kroaci të enjten mbrëma ka ndodhur një shpërthim i madh në afërsi të konviktit të studentëve, derisa është konfirmuar se bëhet fjalë për një fluturake, meqë aty janë gjetur disa pjesë të saj dhe 2 parashuta, ndërsa u theksua dhe ngriti reagime nga qytetarët atje mbishkrimi me shkronja çirilice dhe një yll i kuq në pjesët e fluturakes, shkruan InLajmi.
E reagimet e qytetarëve, gjegjësisht frikën se kjo që ka ndodhur në Kroaci mund të jetë një shenjë jo e mirë për Ballkanin, gjegjësisht edhe Kosovën, i ka hedhur poshtë ish-komadanti i UÇK-së në Koshare, Hisen Berisha, në një prononcim për Gazetën InLajmi.
“Po paragjykohet se mund të jetë ruse. Mund të ketë qenë krejt aksidentalisht por besoj se ka qenë nën kontroll të atyre që e kontrollojnë hapësirën ajrore. Ajo nuk ka arritur të vijë direkt nga vendi ku është nisur për të rënë pastaj në Kroaci”,tha Berisha.
Ish komandanti i Koshares tha se kjo nuk mund të paraqet rrezik as për Kroacinë e as për Ballkanin, derisa ritheksoi faktin se nuk ka vend për shqetësim dhe panik.
“Nuk besoj se paraqet rrezik e shqetësim e aq më tepër se Kroacia është një vend i fuqishëm dhe nuk besoj se mund të paraqet shqetësim as për territoret e tjera e as për Ballkanin, gjegjësisht Kosovën. Ne jemi një vend me kompetencë eksluzive e NATO-s. Nuk ka vend për panik të qytetarëve se kësi gabime ajrore mund të ndodhin jo vetëm njëherë por shumë herë”,theksoi ai. Lindita Canolli-Fejzullahi /InLajmi/