Kreu i AAK-së, Ramush Haradinaj, ka thënë se sikur kryeministri Albin Kurti të mos e kishte kundërshtuar projektin e termocentralit të ri me ‘Countur Global’ apo projektin e gazsjellësit amerikan Shkup-Prishtinë, këtë të premte Kosova do t’iu gëzonte 2 sukseseve të jashtëzakonshme duke përmendur inaugurimin e parkut të erës që u bë sot në Mitrovicë, përcjell InLajmi.
Haradinaj ka thënë se qeveria duhet të marrë shembull nga ky park dhe pse jo të thotë edhe disa fjalë të mira për Qeverinë Haradinaj që niste dhe kryente punët e interest strategjik për vendin.
Tutje ai ka thënë se Kosova ka nevojë urgjente për projekte tjera në fushën e energjisë që sipas tij janë ndalur nga kryeministri Kurti.
Postimi i plotë i tij:
Kryetari i Qeverisë sot paska marrë pjesë në inaugurimin e Parkut të Erës në Mitrovicë, një investim i jashtëzakonshëm i Kosovës me vendet mike, që është një lajm fantastik, sado që meritat e kësaj qeverie për këtë projekt janë zero.
Sikur ky kryeministër e kjo qeveri të mos e kishin kundërshtuar projektin e termocentralit të ri me Countur Global, apo projektin e gazsjellësit amerikan Shkup-Prishtinë, sot do të mund t’u gëzoheshim edhe 2 sukseseve të jashtëzakonshme në fushën e energjisë, e nuk do t’i vuanim pasojat e mungesës së energjisë e çmimeve stratosferike.
Qeveria duhet të marrë shembull nga Parku i Erës në Mitrovicë, se si nisen e kryhen punët e interesit strategjik për vendin, e pse jo t’i thoshte disa fjalë të mira edhe për Qeverinë Haradinaj, që kishte vizion të qartë se si zgjidhej situata elektro-energjetike në vend.
Sidoqoftë ky është sukses i Kosovës, e cila ka nevojë urgjente që t’i shtyjë edhe projektet tjera në fushën e energjisë, që sot janë ndalur nga Kryeministri Kurti./InLajmi/