Për të 2-tën ditë, ka dështuar përpjekja për evakuimin e civilëve të bllokuar nga qyteti jugor i rrethuar i Mariupolit.
Zyrtarët ukrainas thanë se ishte rënë dakord për një rrugë të re me forcat ruse që u hap sot megjithatë plani dështoi pasi nuk u respektua armëpushimi.
“Rusët vazhduan në mënyrë cinike ta bombarojnë korridorin ku duhej të kalonte karvani ynë humanitar”, tha Irina Vereshchuk, zv/kryeministre.
Por, më keq e kanë pësuar civilët që po evakuoheshin nga qyteti i Irpinit në perëndim të Kievit. Mediat ndërkombëtare po filmonin në atë lokacion, kur ra një predhë, në kohën kur një grup civilësh po kalonte përmes postbllokut. Sipas raportimeve, të paktën tre civilë janë vrarë, duke përfshirë dy fëmijë.
Këshilli i qytetit të Mariupolit në Ukrainë, ka njoftuar se duhet të bëhet evakuimi i rreth 400,000 banorëve të bllokuar nga rrethimi i forcave ruse. Ai madje alarmoi se Mariupoli është në prag të krizës humanitare pasi banorët prej ditësh kanë mbetur pa ujë të pijshëm, energji elektrike, ushqime dhe medikamente.
“Ne pamë gjithçka, shtëpitë po digjeshin..çdo kush qëllonte njëri-tjetrin. S’kishim as ujë, as gaz, as rrymë, asgjë”, tha Yelena Zamay, refugjate
“Unë jam e frikësuar për të afërmit dhe familjarët e mi është vështirë ta mendosh se të nesërmen nuk mund të zgjohesh i gjallë dhe kjo është e frikshme. Por, unë besoj në Ukrainën dhe popullin tim këtu”, tha një qytetare ukrainase
Por autoritetet ruse sërish akuzojnë Ukrainën për mosrespektimin e marrëveshjes për evakuimin e civilëve.
“Ne po hapim korridoret humanitare sot në Mariupol dhe Volnovakha. Ne do të bëjmë gjithçka që njerëzit që janë kapur në grackën e autoriteteve ukrainase dhe nacionalistëve të mund të dalin prej andej dhe të qëndrojnë gjallë”, tha Eduard Basurin, Zëdhënës i policisë së Donetskut, transmeton Alsat Mk.
Një plan i ngjashëm për evakuimin e civilëve nga zonat më të prekura nga lufta dështoi të shtunën pasi armëpushimi nuk u respektua plotësisht. Ndërkohë, luftimet vazhduan në shumë zona të tjera teksa pushtimi rus i Ukrainës hyri në ditët e tij të 11-të, duke shkaktuar vdekje dhe shkatërrime.