Ministri i Mbrojtjes, Armend Mehaj, në 24 vjetorin e rënies së Familjes Jashari, ka bërë homazhe në Kompleksin Memorial ‘’Adem Jashari’’, si dhe vizituan familjarët e Jasharajve, përcjell InLajmi.
Mehaj me këtë rast ka kujtuar veprën dhe sakrificën e Familjes Jashari, duke thënë se vendosmëria e tyre për çlirimin e atdheut ishte e palëkundur.

Ndër të tjera ai tha se ushtria jonë po trajnohet dhe po përgatitet dhe do të jetë gjithmonë në gjendje ta mbrojë territorin e vendit.
Tutje ai e ka falënderuar Rifat Jasharin, për mikpritjen I cili theksoi se baca Rifat merr energji e vullnet kur sheh ushtarët e FSK-së.
Postimi i plotë i tij:
Në nderim të veprës dhe sakrificës më unike që kemi njohur ndonjëherë, sakrificës për liri të Familjes Jashari, bëmë homazhe dhe vizituam Familjen Jashari.
Për një popull, vetëm një gjë është më e rëndë sesa lufta, ajo është robëria. E ne, atdheut i jemi betuar, se robër dhe të nënshtruar s’do të jemi kurrë.
Ne ndodheshim në udhëkryqin historik: ta ulim kokën dhe të mbesim nën Serbi, apo me kokën lartë të nisemi drejt lirisë, me gjithë rreziqet dhe vuajtjet që duhet të përjetonim.
Ne zgjodhëm rrugën e 2-të – rrugën drejt lirisë, rrugë në të cilën na printe kryekomandanti legjendar Adem Jashari me gjithë familjen e tij.
Vendosmëria ishte e palëkundur, guximi tmerronte pushtuesin e vullneti ishte i çeliktë.
Siç thoshte baca Hamëz:” Këtu do ta bëjmë vdekjen, këtu ku të parët tanë kanë jetuar me shekuj, prej ilirëve e pellazgëve. Kurrë nuk do ta lëshojmë vendin, edhe Evropa po t’i hapë dyert për ne, ne nuk do të largohemi”.
Kjo edhe u dëshmua: Ne japim gjithçka, por atdheun se japim.
Në këtë frymë të idealit e atdhedashurisë është edukuar edhe FSK-ja, e cila është pasardhëse e UÇK-së.
Ushtarët tanë janë duke u trajnuar, përgatitur e duke u pajisur sipas standardeve dhe në nivel të ushtrive të vendeve të NATO-së.
Ushtria jonë gjithmonë do të jetë gjithmonë në gjendje ta mbrojë territorin e vendit dhe t’i shërbej paqes.
Faleminderit bacë Rifat, për pritjen dhe kurajon që na jep.
Ai e merr energji e vullnet vetëm kur shikon ushtarët e FSK-së të përgatitur e të zot për mbrojtje të atdheut tonë.
Të lavdishëm gjithmonë!/InLajmi/





















