Sopranoja ruso-austriake Anna Netrebko, e cila është kritikuar për marrëdhëniet e saj të ngrohta me Vladimir Putin, njoftoi të martën se do të largohej nga skena “deri në njoftimin e mëtejshëm”.
“Kjo nuk është koha e duhur për mua që të performoj dhe të bëj muzikë. Shpresoj që publiku im ta kuptojë këtë vendim,” shtoi ajo, duke iu referuar luftës në Ukrainë.
Netrebko fillimisht ishte planifikuar të performonte të mërkurën në mbrëmje në Filarmoninë Elbe të Hamburgut, por koncerti i saj është shtyrë për në shtator 2022.
Diva 50-vjeçare është shfaqur në operat më të mëdha, duke përfshirë Rigoletto dhe La Traviata të Verdit, Capulets dhe Montagues të Bellinit dhe Lufta dhe Paqja e Prokofiev.
Në shkurt 2014, ajo u zgjodh për të kënduar himnin olimpik në ceremoninë e hapjes së Lojërave të Soçit në Rusi.
Ditët e fundit ajo ka qenë nën presion. Ambasadori i Ukrainës në Gjermani, Andrij Melnyk, i bëri thirrje audiencës gjermane që të bojkotojë performancën e saj të mërkurën në Hamburg.
Ndërsa ajo nuk e ka deklaruar hapur mbështetjen e saj për presidentin rus, është kritikuar për udhëtimin në Donetsk në dhjetor 2015 për të pozuar me flamurin e rebelëve separatistë pro-rusë, transmeton abcnews.al.
Ajo gjithashtu ndezi polemika kur i dorëzoi një çek për një milion rubla (rreth 15,000 euro) udhëheqësit pro-rus ukrainas Oleg Tsarev.