Pjesëtari i delegacionit të Kosovës në Konferencën e Rambujesë, Mehmet Hajrizi, ka thënë se rasti i luftës në Ukrainë ka më shumë dallime se ngjashmëri me rastin e luftë në Kosovë, por sidoqoftë i ka listuar disa elemente të njëjta.
“Shumë më gjatë mund të flitet për dallimet se sa për ngjashmëritë”, ka thënë Hajrizi në Info Magazine.
“Megjithatë, thuhet se më mirë është të bisedohet me vite se sa të luftohet me minuta. Por është shumë e vështirë – ka qenë shumë e vështirë edhe për Kosovën – edhe për Ukrainën, tash që të bisedohet në gjendje lufte, duke luftuar”.
“Me të filluar bisedimet duhet paraprakisht të vendoset një armëpushim që të mund të bëhen bisedimet në kushte sado normale.”
Një tjetër gjë e ngjashme për Hajrizin është lufta joproporcionale midis Kosovës dhe Serbisë dhe e asaj midis Ukrainës dhe një fuqie tejet më të madhe se ajo, Rusisë.
“Pati ngjashmëri me gjendjen e Kosovës më 1999, tash 23 vjet, kur lufta po vazhdonte , maskara gjenocidi po ushtrohej në Kosovë dhe ne ishim të detyruar të bisedonim në Rambuje për një marrëveshje kalimtare”.
“E njëjta gjë po ndodh edhe sot pa u ndaluar luftimet pa vendosur një armëpushim qoftë edhe të përkohshëm duhet të shkohet në bisedime, ngjashmëria e dytë është që në frontin e luftës ta them figurativisht Kosova po luftonte si Davidi kundër Goliatit, domethënë një fuqi e vogël kundër një fuqie të madhe”.
“E njëjta gjë ngjashëm po ndodh edhe sot në Ukrainë, bën luftë një shtet relativisht i vogël në krahasim me fuqinë ruse, dhe mund të thuhet si luftë e Davidit me Goliatin”.