Policia e Kosovës, gjatë ditës së diele ka arrestuar 3 shtetas serbë, të cilët kishin blerë emblema të UÇK-së në njërin nga dyqanet e Prishtinës dhe ishin duke planifikuar blerjen e disa uniformave në një dyqan tjetër në Prishtinë, shkruan InLajmi.
E krejt kjo u tha se u bë për të realizuar disa video ku shihen kinse disa ushtarë të veshur me uniforma të UÇK-së, janë gati për të marrë veriun e Kosovës.
Lidhur me këto veprime, ushtruesi i Detyrës së kryetarit të Organizatës së Veteranëve të Luftës së UÇK-së, Faton Klinaku në një prononcim për Gazetën InLajmi tha se këtë që e kanë bërë dje disa serbë, është histori e njohur pasi që Serbia nuk është hera e parë që bën inskenime të tilla.
“Arrestimi i serbëve të cilët janë zënë duke blerë uniforma të UÇK-së, nuk është hera e parë që Serbia bën kësi veprime. Ajo inskenime të situatave, ka bërë edhe në dhjetor të vitit 1998, që kishin vrarë fëmijët vet në një lokal në Pejë të quajtur “Panda”, duke ua lënë fajin shqiptarëve. Sulmuesit kishin veshur uniforma me emblemë të UÇK-së gjatë aktit të sulmit, dhe i njëjti sulm i ishte veshur UÇK-së për ta etiketuar si organizatë terroriste”,tha Klinaku.
Më tej Klinaku apeloi që të kemi kujdes në përgjithësi si shoqëri lidhur me këto veprime të Serbisë, të njohura për të gjithë.
“Serbia mund të prodhojë këso emblema edhe në Serbi, por çfarë kërkohet nga ne është se përveç Policisë, duhet të jemi vigjilent edhe si shoqëri”,tha ai. /InLajmi/