Përkundër reshjeve të borës që kanë filluar nga dita e djeshme, Ministria e Infrastrukturës deklaron se gjendja e rrugëve në tërësi është e mirë.
Lajmin për Telegrafin e ka bërë të ditur shefi i Departamentit të Mirëmbajtjes së Rrugëve në MI, Gëzim Osmani duke shtuar se kompanitë kanë intervenuar gjatë gjithë kohës.
“Gjendja e rrugëve në tërësi është e mirë. Të gjitha rrugët janë të qarkullueshme për automjete. Kompanitë e MVD-së të kontraktuara nga MMPHI-ja gjatë tërë kohës kanë punuar në pastrimin e rrugëve si dhe hedhje kripe në rrugë. Në rrugët malore vozitje me kujdes të shtuar”, tha Osmani.
Ndryshe, Instituti Hidrometeorologjik i Kosovës (IHMK) ka njoftuar se temperaturat minimale do të lëvizin ndërmjet -5 deri 0 gradë Celsius, kurse maksimalet e ditës parashihen të lëvizin ndërmjet 2-8 gradë Celsius.
“Dita e hënë fillon me mot kryesisht të vranët dhe me reshje të herë pas hershme të borës. Nga dita e martë reshjet parashihen të vazhdojnë vetëm nëpër disa zona, kryesisht në rrafshin e Dukagjinit. Nga dita e mërkurë e tutje, parashihen edhe intervale me diell. Temperaturat minimale do të lëvizin ndërmjet -5 deri 0 gradë Celsius, ndërsa maksimalet e ditës parashihen të lëvizin ndërmjet 2-8 gradë Celsius. Do të fryjë erë kryesisht nga verilindja e lehtë deri mesatare, kurse në viset e larta, shpejtësia e erës do të arrijë mbi 12m/s”, thuhet në njoftimin e IHMK-së.