Ish-ambasadori dhe njohësi i zhvillimeve politike, Ylber Hysa, e ka komentuar largimin e opozitës gjatë seancës solemne në Kuvend për nder të Ditës së Pavarësisë, derisa po mbante fjalim kryeministri Albin Kurti.
Hysa në një intervistë në Edicionin Special në Klan Kosova, tha që është një metodë e njohur e parlamentarizmit, kur dikush nuk dëshiron që të jetë prezent gjatë fjalimit.
“Nuk është një zbulim i kësaj opozite pasi përdoret shpesh në botë. Ishte një përzgjedhje e tyre politike, ishte një formë e civilizuar dhe nuk pashë akte të dhunës në këtë shprehje politike”, tha ai.
Tutje Hysa tha që vetë ata që sot janë në pushtet sipas tij, e kanë kultivuar më herët një kulturë të tillë të reagimit.
“Zakonisht, përvjetoret e tilla e sidomos ky janë të një natyre solemne dhe ceremoniale ku duhet të kihet parasysh një lloj konsensusi e të vihet në shprehje, por marrë parasysh një trashëgimi politike në të cilën qeveria e sotme dikur akterë i shumë vitesh, në situata të tilla ka kultivuar një kulturë të tillë politike të reagimit madje duke e përdorur edhe dhunën në parlament. Besoj që kjo ishte mënyra që opozita e tanishme e shpagoi”.
“Ishte një formë e butë e reagimit duke iu referuar kësaj trashëgimie politike. Ishte më shumë një gjest politik nëse e keni parasysh që u lëshua fjalimi i ish presidenti Thaçi me rastin e 14 viteve më herët dhe u mor si shkas mungesa e referimit të këtyre datave dhe personaliteteve dhe mos-arritja që të reflektohej një lloj pajtueshmërie për këtë datë të rëndësishme”.
Ai tha që e quan si një “peng të një trashëgime politike, të cilën e ka imponuar për dekada vetë protagonisti i sotëm [Albin Kurti], që e mbajti fjalimin pikërisht për këtë datë.
“Hashim Thaçi dhe Kadri Veseli janë 2 akterë që fatkeqësisht nuk janë në Kosovë dhe festa bëhet pa ta. Ata janë 2 akterë historikë, pa të cilët nuk është zhvilluar lufta dhe nuk është bërë as kjo ditë para 14 vitesh dhe në një formë ose tjetër kanë qenë pjesë të historisë. Nuk duhet pse dikush që është bartës i institucioneve të heqë dorë kaq lehtë dhe kaq thjeshtë nga historia e Kosovës”, tha ai.