Qeveria e Kosovës ka organizuar festimin e 14-vjetorit të Pavarësisë së Kosovës më 17 shkurt, por në këtë organizim nuk do të marrin pjesë askush nga Organizata e Veteranëve të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Ksovës, shkruan InLajmi.
Sekretari i OVL të UÇK-së, Faton Klinaku në një prononcim për Gazetën InLajmi theksoi se do të marrin pjesë në organizimet ku mbahen nëpër komuna të vendit për festën e Pavarësisë së Kosovës, po ashtu do të bëjnë homazhe, por asesi nuk do të marrin pjesë në organizmet e Qeverisë. E për krejt këtë vendim, Klinaku thotë se kanë mjaftueshëm arsye.
“Do ta shënojmë festën e Pavarësisë në komunat ku do të mbahen aktivitete. Në selinë qendrore nesër marrim pjesë në homazhe në sheshin në Skenderaj, Prekaz dhe Vllahi atje ku është lapidari i të gjithë dëshmorëve të UCK-së . Por këto janë aktivitete në kuadër të organizatave dhe ato që do të mbajnë komunat, ndërsa sa i përket organizimit që e ka organizuar Qeveria e Kosovës ne nuk marrim pjesë. Pra, na kanë ftuar por nuk kemi pranuar”,tha Klinaku për Gazetën InLajmi.
Më tej, sekretari i OVL të UÇK-së, tha se me kreun e Qeverisë, Albin Kurti janë takuar vetëm një herë kur e kanë uruar për detyrën e re, por herë të tjera jo edhe pse u është premtuar se do të takohen dhe do të merren parasysh kërkesat e tyre.
“Në momentin kur e ka marr detyrën e kemi uruar Kurtin, dhe i kemi treguar disa preokupime tona. Njëra prej tyre është Gjykata Speciale, pra shokët tanë po mbahen në burg e normalisht se meritojnë më shumë përkrahje por edhe disa kërkesa të tjera siç është rehabilitimi i veteranëve, invalidëve, familjeve të dëshmorëve por edhe kërkesat e organizatave të dala nga lufta. Pra, asnjëherë nuk jemi takuar më nga atëherë për të biseduar për këto shqetësime”,njoftoi Klinaku.
E sipas Klinakut edhe ato të drejta që i kanë pasur nga qeveritë e kaluara u janë shkelur nga kjo qeveri.
“Rast konkret është problemi ku për shkak të disa gabimeve teknike në dokumente, ta zëmë për një ç të fortë apo të butë, njerëzit nuk po i gëzojnë pensionet që u takojnë. E me këto çështje merret Zyra përkatëse që është në kuadër të Qeverisë së Kosovës. Po ashtu kjo Qeveri ka premtuar se do t’i rrisë pensionet e veteranëve, por një gjë e tillë nuk ka ndodhur. Madje, as nuk na kanë thirr në takim”,tha ai.
Klinaku, e ritheksoi se derisa kryeministri i vendit po i injoron ata, gjegjësisht nuk po i merr fare për bazë kërkesat e tyre, atëherë nuk po e shohin të arsyeshme të jenë së bashku me krerët qeveritarë, dhe të festojnë 14-vjetorin e Pavarësisë së Kosovës. /InLajmi/