Gjatë ditës së martë ka pasur reagime të shumta sa i përket draft Ligjit për Pagat, gjegjësisht koeficientit të pagave, ndërsa lidhur me këtë ka reaguar ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, përcjell InLajmi.
Ministri Sveçla ka njoftuar se krejt lajmet që po qarkullojnë rreth draft Ligjit për Pagat nuk janë të vërteta.
Në theks të veçantë, ministri Sveçla ka informuar se vlera e koeficientit nuk do të jetë pjesë e Ligjit për pagat e zyrtarëve publik, meqë e njëjta përcaktohet me ligjin e buxhetit.
E në momentin e finalizimit të draftit të Ligjit të Pagave, ai tha se do të bëhet publik për qytetarët.
Postimi i plotë i tij:
Ministria e Punëve të Brendshme dëshiron të informojë qytetarët se vala e pseudolajmeve që po përhapen me shpejtësi në mediat tona rreth ligjit për pagat e zyrtarëve publik është e pavërtetë dhe qëllimkeqe. As nuk ka draft final të ligjit për pagat e zyrtarëve publik e as nuk ka ndonjë vlerë të koeficientit. Vlera e koeficientit nuk do të jetë pjesë e ligjit për pagat e zyrtarëve publik, meqë e njejta përcaktohet me ligjin e buxhetit.
Kjo valë e dezinformatave ka për qëllim krijimin e konfuzionit dhe krijimin artificial të pritjeve me idenë se këto pritje pastaj shumë lehtë mund të keqpërdoren për nxitje të pakënaqësive dhe ngritje të debateve të kota krahasuese.
Ju bëjmë me dije që ministria jonë do të ndajë draftin final me publikun në momentin kur i njëjti të finalizohet./InLajmi/