Aleatët më të rëndësishëm perëndimorë janë konsultuar në një videokonferencë të premten për krizën e Ukrainës dhe kanë theksuar edhe njëherë vendosmërinë për sanksione të shpejta e të thella në rast të një sulmi rus në Ukrainë.
Nga qarqet qeveritare gjermane bëhet e ditur, se gjendja vlerësohet nga Bashkimi Evropian dhe NATO si “shumë, shumë serioze”.
Të gjitha përpjekjet diplomatike synojnë që Moska të mos shkojë më tej me shkallëzimin e situatës.
“Ajo që vlen është të ndalet një luftë në Evropë”,bëri të ditur zëdhënësi i qeverisë, Steffen Hebestreit pas përfundimit të lidhjes telefonike me krerëve perëndimorë.
Presidenti, Joe Biden u konsultua në një rreth të gjerë krerësh perëndimorë për gjendjen në Ukrainë, me pjesëmarrjen edhe të kancelarit të ri gjerman, Olaf Scholz.
Sipas Shtëpisë së Bardhë, në këtë video konferencë morën pjesë edhe presidenti, Emmanuel Macron, kryeministri britanik, Boris Johnson, presidenti polak, Andrzej Duda, presidenti rumun, Klaus Iohannis dhe Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg. Komisioni Europian u përfaqësua nga presidentja, Ursula von der Leyen dhe presidenti i Këshillit të BE, Charles Michel.
Në bisedime u fol për “përforcimet ushtarake ruse në vazhdim” në kufirin ukrainas.
Qëllimi i konsultimeve të partnerëve transatlantikë është koordinimi i diplomacisë dhe kërcënimit, thuhet nga Shtëpia e Bardhë. Sipas informacioneve të revistës gjermane, “Der Spiegel”, shërbimi sekret, CIA dhe ushtria amerikane iu raportuan aleatëve, se për shkak të informacioneve të reja, një sulm mund të zhvillohet të mërkurën e ardhshme. Zëdhënësi i Shtëpisë së Bardhë, Jake Sullivan nuk i komentoi raportimet e shërbimeve sekrete.
Si Biden ashtu edhe presidenti francez, Macron për shkak të tensioneve të vazhdueshme duan të telefonojnë të shtunën me kreun e Kremlinit, Vladimir Putin. Planet për këtë janë konfirmuar nga të gjitha palët. Macron ka telefonuar së fundmi disa herë me presidentin Putin.
Të hënën e kësaj jave ai ishte në Moskë për bisedime, kurse në dhjetor ishte Biden e Putin që telefonuan me njëri-tjetrin. Të premten telefonuan edhe krerët e shtabeve ushtarake të SHBA dhe Rusisë, Mark Milley dhe Valeri Gerasimov, ku u diskutua për temat e sigurisë, bëri të ditur ministria amerikane e Mbrojtjes, pa ofruar të dhëna të tjera, përcjell DW
Ndërkohë SHBA kanë vendosur të transferojnë 3.000 ushtarë të tjerë amerikanë nga një divizion në bazën amerikane të Karolinës së Veriut në shtetin anëtar të NATO-s, Poloni. Këtë e ka urdhëruar ministri i Mbrojtjes, Lloyd Austin, me porosi të presidentit Biden, u tha në media.