Njëri prej personave në rastin e dyshuar të vjedhjes së 2 milionë eurove nga Thesari i Shtetit, në tetor të vitit 2020, Labinot Gruda, e ka pranuar fajësinë për të gjitha pikat për të cilat akuzohet, në seancën e radhës gjyqësore që po zhvillohet në Gjykatën Themelore të Prishtinës, përcjell InLajmi.
E në lidhje me këtë ka reaguar ish-ministrja e Ekonomisë, Hykmete Bajrami e cila tha se gjithmonë do të denoncoj secilin krim dhe secilën vjedhje që ndodh.
Tutje, ajo tha se kthimi i këtyre parave duhet të bëhet sa më parë dhe se drejtësia duhet të kryejë detyrën e saj deri në fund.
Postimi i plotë i saj:
E denoncova, dikush e pa si faj, e pranoj këtë faj
Kam pranuar me qindra mesazhe përkrahëse që kam DENONCUAR vjedhjen e 2.1 milionë eurove. Dhjetëra e qindra reagime nëpër rrjete sociale e kërcënime pse kam denoncuar.
Sot, kur i akuzuari kryesor e PRANOI fajin, po e pranoj edhe unë një faj. Fajin se e kam DENONCUAR.
Dje, sot, nesër dhe përgjithmonë do të bëj të njëjtin faj. Prapë, do të DENONCOJ secilin krim e secilën vjedhje që ndodh. Nuk jam dorëzuar dhe nuk dorëzohem as nga ata që kanë tentuar të më ndalin të flasë e denoncoj paligjshmëri e shkelje ligjore tjera.
Prandaj, sot, është ditë e madhe për drejtësinë. Është ditë e madhe për Kosovën. Menjëherë duhet të nisë kthimi i parave në buxhetin e Kosovës. Drejtësia duhet ta kryejë detyrën deri në fund pasi i akuzuari ka pranuar fajin dhe ka hapur rrugën për sqarimin e 2.1 milionë eurove deri në fund./InLajmi/