Zyra e Rregullatorit të Energjisë (ZRRE) ka miratuar sot vendosjen e bllokut tarifor në 800 kilovat për konsumatorët e energjisë elektrike në Kosovë. ZRRE ndryshoi vendimin pasi me rekomandimin paraprak ata kërkonin që çmimi i energjisë elektrike të rritet për konsumatorët që shpenzojnë mbi 600 kilovat.
Me këtë rast, shefi i Grupit Parlamentar të AAK-së, Besnik Tahiri i ftuar në emisionin Frontal në T7 ka thënë se rritja e çmimit të energjisë elektrike është bërë me direktiva të qeverisë.
Ai ka thënë se logjika e rritjes së energjisë është logjikë politike dhe sipas tij kjo shihet edhe nga sinkronizimi i qeverisë me ZRRE-në.
“Ngritja e çmimit të energjisë nga ZRRE ka efekt zingjirorë, është diskriminues. Ku ka logjikë dikush që e shpenzon mbi 850 kWh në orë, me ja pagu me marrë ngritjen e çmimit për dikë që paguan nën 850 kWh. Ku ka logjikë me pas diskriminim etnik, ne me ja pagu serbëve të veriut e kësaj kategorie me ju rritë. Sikur ku ka logjik konsumatori privat, individual, me pagu rrymën, e mos me ja shtrenjtu rrymën korporatave. Kjo është logjikë politike. Kjo është me direktivë. Sinkronizimi i ZRRE-së edhe i qeverisë. Në qoftë se e sheh raportin e ZRRE-së e sheh pozicionin që ka pasur qeveria. Ka qenë sinkronizim i plotë”, ka deklaruar ai.
Tutje ai është shprehur se kryeministri Albin Kurti duhet ta ketë si alarm vendimin e sotëm për rritjen e çmimit të energjisë elektrike.
Tahiri po ashtu ka treguar se tashmë me partitë tjera opozitare janë duke mbledhur nënshkrimet për thirrjen e një seance të jashtëzakonshme.