Qeveria e Kosovës ka miratuar të premten propozimin e Ministrisë së Shëndetësisë për lehtësimin e masave anti-COVID.
Pas miratimit të masave një konferencë për media e ka mbajtur kryeministrin Albin Kurti me ministrin e Shëndetësisë, Rifat Latifi.
Kurti ka thënë se masat e marra në këto dy javë kanë pasur sukses në ngadalësimin e rritjes së rasteve, ndërkaq sa i përket vaksinimit ai tha se i janë përgjigjur një numër i madh i qytetarëve të Kosovës gjatë këtyre 2 javëve.
“Që nga hyrja e masave në fuqi deri tani janë administruar rreth 40 mijë doza të vaksinës”, tha kryeministri.
Ndërkaq, ministri i Shëndetësisë, Rifat Latifi bëri të ditur se me vendimin e ri për masat anti-COVID hiqet obligimi i bartjes së maskës në ambiente të jashtme.
Me masat e reja kufizimi i lëvizjes është vendosur të jetë nga ora 00:00 deri në ora 05:00.
Po ashtu hyrja në Kosovë do të jetë me 2 vaksina, apo me një nëse është nga Johanson, pa pasur nevojë për testin PCR, ndërkaq lejohet hyrja edhe me një vaksinë dhe test negativ PCR të bërë në 48-orët e fundit.
Po ashtu, lejohet të hyjnë në Kosovë personat që kanë kaluar COVID-19 në 3 muajt e fundit.
Orari i punës së gastronomisë me lirim të masave është mundësuar të jetë deri në orën 23:00.
Ndalohet organizimi i festivaleve dhe hapja e klubeve të natës;
Bibliotekat, muzetë, teatrot e kinematë punojnë me vetëm 50 për qind të kapaciteteve;
Lejohet organizimi i garave sportive dhe stërvitjet.
Ministri i Shëndetësisë, Rifat Latifi theksoi se kanë vendosur disa lehtësime, pa harruar ruajtjen e shëndetit.
“Do ta monitorojmë, do të takohemi për çdo javë. Të marrim veprimet duke reaguar me kohë. Zbatimi i masave dhe vaksinimi mbesin edhe më tej arma kundër pandemisë. Hyrja në Kosovë lejohet me certifikatën e vaksinimit për vaksinim të plotë me dy doza ose me një dozë të vaksinës Janssen, që nuk ka kaluar më shumë se 12 muaj nga marrja e dozës së fundit. Certifikatën e vaksinimit me një dozë e shoqëruar me testin PCR negativ për COVID-19, jo më i vjetër se 48 orë”, tha ai, shkruan Telegrafi.
Ai ka njoftuar se maska është e obliguar ne ambientet e mbyllura.