Ministri i Shëndetësisë së Maqedonisë së Veriut, Bekim Sali, deklaroi të hënën se Maqedonia e Veriut nuk ka nevojë për masa të reja kufizuese për mbrojtje nga pandemia e koronavirusit, që shkakton sëmundjen Covid-19.
Ai tha se ka një rritje të lehtë të personave të shtruar nëpër spitale, por gjithashtu, sipas tij, është në rënie edhe numri i të prekurve me koronavirus.
Të hënën, Maqedonia e Veriut ka regjistruar 26 persona të vdekur me Covid-19, me çka numri i përgjithshëm i viktimave ka arritur në 8.409 persona.
Po ashtu janë regjistruar edhe 711 raste të reja, ndërkaq 7.170 persona janë të shtrirë në spitale.
Infektimet e reja bazohen në testimin e 3.197 mostrave. Ndërkaq, rastet aktive me koronavirus janë rreth 13.600.
Ministri i Shëndetësisë në Maqedoninë e Veriut, Bekim Sali, tha se të martën Komisioni për Sëmundje Infektive do të punojë me përbërje të zgjedhur, por nuk bëri të ditur se cilët janë anëtarët e rinj të këtij trupi, që jep propozime lidhur me masat për mbrojtje nga pandemia.
Kreu i shëndetësisë foli edhe për refuzimin që i bënë ftesës së tij për të qenë anëtar të Komisionit edhe 3 ekspertë të njohur shëndetësorë, Dragan Danilovski, Nikola Panovski dhe Velo Markovski. Ata thirrjen e refuzuan për shkak të ishte bërë nëpërmjet rrjetit social Facebook.
“Nuk është koha për t’u ndalur te ftesa apo lutja, por për të ndihmuar në përballimin e pandemisë”,deklaroi Sali duke theksuar se ftesa është publike për të gjithë ekspertët.
Ai bëri të ditur se në seancën e të martës të Komisionit për Sëmundje Infektive do të vendoset se si dhe kur do të bëhet verifikimi apo testimi i shpejtë i nxënësve nëpër shkolla. Sipas tij, kjo formë e testimit do të bëhet përmes qendrave të shëndetit publik që mbajnë evidencë për të gjitha rastet pozitive.
“Java e parë është shumë e rëndësishme për të reaguar shpejt nëse ka nevojë për të ndërmarrë veprime shtesë”,deklaroi ministri i Shëndetësisë, Bekim Sali.
Të martën, në Maqedoninë e Veriut në të gjitha shkollat fillore dhe të mesme fillon gjysmëvjetori i 2-të me prezencë fizike. Mësimi ishte shtyrë për 2 javë për shkak të rritjes së rasteve me Covid-19. Edhe në gjysmëvjetorin e parë mësimi është zhvilluar me prezencë fizike.