Afërsisht 3 tonë e gjysmë speca të kuq nga Shqipëria do të groposen në Serbi.
Në datën 17 janar para se eksportuesi Rrapi Hazizi të niste kamionin me 10 perime të ndryshme për në Serbi, ai i analizoi ato në një laborator të akredituar. Sipas kësaj fletanalize speci i kuq është cilësor.
Në datën 19 janar institucioni serb që kontrollon ushqimin, vendos të rianazojë kamionin që ishte i ngarkuar me perime, nga analizat doli që speci i kuq kishte ngarkesë të lartë pesticidesh.
Agronomët thonë se sa më shumë kohë të kaloj, aq më lehtë shpërbëhet lënda aktive e pesticidit. Por çuditërisht analiza e 2-të e bërë në Serbi tregoi të kundërtën.
Edhe pse eksportuesi kërkoi ri-analizim të produktit në një shtet tjetër të BE-së, kjo kërkesë u rrëzua nga shteti serb, për pasojë vendimi u mor që speci i kuq të groposej, shkruan Top Channel.
Dëmi ekonomik që iu bë eksportuesit Rrapi Hazizi kap vlerën e 9.000 eurove, ai thotë se pas kësaj ngjarje Ministria e Bujqësisë së Shqipërisë ka kontaktuar me Ministrinë e Bujqësisë së Serbisë, për t’i kërkuar korrektësi në kontrollin ushqimor që i bëhet prodhimeve bujqësore shqiptare.