I dërguari i posaçëm i SHBA-së për Ballkanin Perëndimor Gabriel Escobar deklaroi se arsyeja e vizitës së tij në Kosovë dhe Serbi është përmirësimi i bashkëpunimit të SHBA-së me të 2 vendet.
Escobar u deklarua kështu për mediumin serb Nova, duke përmendur edhe çështjen e votimit të serbëve në Kosovë në zgjedhjet e përgjithshme të Serbisë.
Me rastin e vizitës së tij të ardhshme në Prishtinë dhe Beograd, së bashku me të dërguarin e BE-së, Miroslav Lajçak, ai tha se qëllimi i saj ishte të inkurajojë të 2 palët që të vazhdojnë dialogun nën kujdesin e BE-së, në mënyrë që të kapërcehen dallimet reciproke dhe të vazhdojë rrugën drejt BE-së.
Vizita e 2 ndërmjetësuesve është paralajmëruar në fund të janarit dhe fillim të shkurtit në të 2 vendet, transmeton lajmi.net.
Në takimin me krerët kosovarë, Escobar dhe Lajçak pritet t’i ofrojnë modalitete të ndryshme të zbatimit të Asociacionit të Komunave me shumicë serbe në Kosovë.