Partitë opozitare, Partia Demokratike e Kosovës dhe Lidhja Demokratike e Kosovës e kanë lëshuar sallën e kuvendit pasi nuk u votua rezoluta e propozuar nga partitë opozitare që ndalon shtrenjtimin e energjisë elektrike në vend.
Shefi i grupit parlamentar të PDK-së, Abelard Tahiri, tha se kuvendi pati kuorum të mjaftueshëm për të marrë vendim që bllok-tarifat e propozuara nga ZRRE të votohen kundër përmes rezolutës së propozuar nga ta, por sipas tij, ishte grupi parlamentar i VV-së ajo që nuk e mundësoi një gjë të tillë.
“Përfaqësuesit e qytetarëve që janë në këtë kuvend do të duhej të kenë qëndrim për këtë çështje dhe ne si parti opozitare e deklaruam votën tonë, ndërsa mazhoranca abstenoi nga votimi që është e papranuar sepse këtu shihet që kemi një koordinim të mirë të këtij grupi parlamentar me kryeministrin Kurti dhe ZRRE-n”,ka thënë Tahiri
Më tej, ai tha se kjo është arsyeja se pse grupi parlamentar i PDK-së nuk do të vazhdoj të qëndrojë në seancën e sotme, sepse sipas tij, nuk ka çështje më të rëndësishme për qytetarët sesa hedhja poshtë e këtyre tarifave.
“Hyrja në fuqi e këtyre tarifave, për qytetarët është dëm i madh. Gjithë kjo situatë që është krijuar si rezultat i ngritjes së çmimeve të produkteve, naftës e tash edhe të energjisë elektrike, besoni se po e bëjnë jetën të papërballueshme për qytetarët e Kosovës”, tha ai
“Prandaj, ne si grup parlamentar nuk do të vazhdojmë të qëndrojmë në këtë seancë sepse shihet qartë se ju jeni së bashku me ZRRE-n keni koordinim të ngushtë edhe me Kurtin për ngritjen e çmimit të energjisë elektrike, prandaj ju vazhdoni me rëndu jetën e qytetarëve e ne nuk mund të bëhemi pjesë e kësaj maskarade”,ka thënë Tahiri.
Përveç PDK-së, sallën e Kuvendit të Kosovës e lëshoi edhe LDK-ja.
Deputeti i kësaj partie, Armend Zemaj, tha se grupi parlamentar i VV-së tregoi se është pro shtrenjtimit enorm të energjisë elektrike, e që sipas tij, në një formë duhet të ndalet, shkruan Klankosova.tv.
“Andaj edhe pjesëmarrja jonë nuk tregon qoftë edhe në cilësinë e mbarëvajtjes se punë së kuvendit sepse s’ka temë më të madh sesa tema e energjisë dhe pandemisë, për ju nuk janë interes ndërsa ne do të përdorim të gjithë mekanizmat demokratik që parandalojnë varfërinë e popullit nga papërgjegjësia e kësaj qeverie populiste”,ka thënë Zemaj.