Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu ka thënë se prej se janë në qeverisje kanë ndërmarrë fushata të ndryshme për thirrje për raportim ndaj rasteve të dhunës dhe ndërmarrjen e masave nga organet përgjegjëse në raport me dhunën në familje, raporton InLajmi.
Kështu është shprehur ministrja Haxhiu në një konferencë për medie, derisa ka shtuar se janë duke punuar me Komisionin për draftimin e Ligjit për mbrojtjen e grave nga dhuna në familje.
Qeveria e Kosovës sot ka miratuar Strategjinë Kombëtare të Kosovës për luftimin e dhunës në familje 2022.
“Strategjia e miratuar në Qeveri nuk duhet pasur fatin e strategjive të kaluara që mbetën në sirtarë të qeverive. Situata në Kosovë do të ndryshojë për së mbari pas miratimit të kësaj strategjie. Do të rritet vigjilenca e Prokurorisë e Policisë dhe gjykatave në raport me dhunën në familje. Jeta e grave e vajzave në Kosovë sikur edhe fëmijëve e qytetarëve është e rëndësishme. Dhuna në familje nuk është çështje private, duhet adresuar nga institucionet”,tha Haxhiu.
Ndryshe, Haxhiu tha se uron që të mos ketë raste më kur institucionet përgjegjëse neglizhojnë rastet e dhunës në familje. /InLajmi/




















