Në mbledhjen e sotme të Qeverisë së Kosovës është miratuar Projektligji për ratifikimin e marrëveshjes së Republikës së Kosovës dhe asaj të Shqipërisë lidhur me zbatimin e lehtësirave doganore dhe të mallrave për tregti, raporton InLajmi.
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti në mbledhjen e Qeverisë tha se qëllimi i miratimit të kësaj marrëveshjeje është thellimi i bashkëpunimit dhe lehtësimeve doganore, gjegjësisht synohet thjeshtësimi i procedurave doganore.
Ndërsa ministri i Financave, Hekuran Murati në këtë mbledhje tha se përveç që synohet të lehtësohen dhe thjeshtësohen procedurat doganore, parashihet edhe hapja e një zyre doganore në Portin e Durrësit dhe të Portit Romano.
Ndërkohë, kjo marrëveshje e nënshkruar në nëntor të vitit të kaluar në mes të Republikës së Kosovës dhe Shqipërisë u miratua me shumicë votash, dhe nuk pati asnjë votë kundër./InLajmi/




















