Autobusi që transportonte udhëtarë u përplas në një kanal në Stamboll të dielën, duke shkaktuar vdekjen e 3 personave dhe duke plagosur 18 të tjerë, transmeton InLajmi.
Mësohet se mes 3 personave të vrarë ishte edhe shoferi i autobusit. Ambulancat u dërguan menjëherë në vendngjarje në autostradën e Marmarasë Veriore.
Autobusi ishte nisur për në provincën Denizli të Detit Egje.
Për shkak të reshjeve të mëdha të borës, autobusi u rrotullua në një kanal të thellë 30 metra pranë zonës së tunelit Çamlık në një rrugë që lidh Autostradën Trans-Europiane (TEM) me Autostradën Veriore Marmara.
Përveç ambulancave, ekipet e zjarrfikësve, ekipi Kombëtar i Shpëtimit Mjekësor (UMKE) dhe Autoriteti i Menaxhimit të Fatkeqësive dhe Emergjencave (AFAD) dhe forcat e sigurisë kanë nxituar që të arrijnë në zonë.
18 pasagjerët e plagosur u dërguan në spitalet shtetërore aty pranë për mjekim pasi morën ndihmën e parë në vendngjarje. Trupat e personave që vdiqën janë dërguar në Institucionin e Mjekësisë Ligjore për obduksion.
Shifrat e siguruara nga Departamenti i Trafikut i Policisë së Turqisë tregojnë se 217.462 aksidente kanë ndodhur në Turqi në 7 muajt e parë të 2021. Nga aksidentet janë lënduar gjithashtu 139.448 persona.
Numri më i madh i vdekjeve nga trafiku këtë vit ishte në provincën jugore të Antalias, me 75 vdekje që nga janari. Ajo u pasua nga provinca qendrore e Konias me 66 të vdekur. Në Stamboll, qyteti më i populluar i vendit me më shumë se 15 milionë njerëz, 51 vdiqën në aksidente midis janarit dhe korrikut, shkruan Anadolu Agency.
Aksidentet e trafikut janë një realitet i kahershëm i Turqisë, si pasojë e së cilës humbasin jetën qindra njerëz nga aksidentet e trafikut çdo vit. /InLajmi/