Ministria e Mbrojtjes e Rusisë tha se trupat që u vendosën në Kazakistan gjersa demonstratat e dhunshme tronditën vendin janë kthyer në shtëpi.
Trupat ishin pjesë e një force të dërguar si paqeruajtëse nga Organizata e Sigurisë së Traktatit Kolektiv, një aleancë e udhëhequr nga Rusia që përfshin 6 shtete ish-sovjetike.
CSTO miratoi forcën prej më shumë se 2.000 vetash më 5 janar me kërkesë të presidentit kazak Kassim-Jomart Tokajev.
Demonstratat nisën më 2 janar për të protestuar kundër rritjes së madhe të çmimeve të karburantit.
Ato u përhapën me shpejtësi në mbarë vendin dhe brenda disa ditësh kaluan në dhunë. Protestuesit sulmuan ndërtesat qeveritare dhe u vunë flakën atyre dhe dhjetëra njerëz u vranë në përleshjet me forcat e sigurisë së vendit.
Ministria ruse e Mbrojtjes tha këtë të shtunë se të gjithë avionët e saj me trupa paqeruajtëse ishin kthyer. Nuk ishte e qartë nëse trupat nga vendet e tjera të CSTO mbeten në Kazakistan.
Numri i personave të vrarë në protestat në Kazakistan vazhdon të jetë i paqartë. Edhe pse zyrtarët kanë thënë se numri i viktimave është 164, Toqaev ka thënë se qindra civilë dhe forca të sigurisë janë vrarë ose plagosur.
Presidenti kazak ka pretenduar se “terroristët e trajnuar jashtë vendit” ishin pas protestave, të cilat, sipas tij, kishin për qëllim rrëzimin e Qeverisë.
Por, analistët thonë se protestat janë më shumë një betejë për pushtet ndërmjet presidentit dhe mbështetësve të Nazarbaevit, i cili vazhdon të jetë figurë e fuqishme në vend, edhe pse u tërhoq nga udhëheqja e vendit më 2019.
Pasi shkarkoi Qeverinë, Toqaev e hoqi Nazarbaevin nga kreu i Këshillit për Siguri Kombëtare, një pozitë e fuqishme në Kazakistan.
Toqaev po ashtu ka shkarkuar kreun e Komitetit për Siguri Kombëtare, Karim Masimov, që është një aleat i kamotshëm i Nazarbaevit. Masimov është arrestuar nën akuzat për tradhti të lartë.
Edhe zyrtarë të tjerë të sigurisë janë ndaluar nga autoritetet kazake, përcjell REL.
Toqaev ka tentuar që të sigurojë qytetarët se po punon drejt stabilitetit ekonomik, duke urdhëruar Bankën Qendrore dhe agjencinë për rregullativa financiare që të sigurohen për stabilitetin e tregut të këmbimit valutor, me qëllim që të ngrihet besimi ndaj monedhës kombëtare, tenge.