Zëvendësministri i Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, Dukagjin Pupovci ka folur edhe për punësimin e asistentëve për fëmijët me nevoja të veçanta, raporton Inlajmi.
Zëvendësministri i Arsimit tregoi se si do të shkojë procedura për punësimin e këtyre asistentëve.
“Planifikohet që 400 asistentë të punësohen për 4 vite, për shkak të buxhetit, pra do të realizohet brenda 4 viteve. Çdo vit nga 100 ndihmës së asistentëve, kjo është bërë sipas Grantit specifik të arsimit në komuna”,tha Pupovci.
Tutje ai tregoi se si do të punohet në mënyrë që të dihet se ku dhe cilat shkolla kanë nevojë për këta asistentë.
“Do të dalin komisionet dhe do të shikojnë nevojat , pra do të shohim aty ku ka shumë fëmijë me nevoja të veçanta, të korrigjojmë numrin në ato shkolla që ka nevojë”, tha më tej Pupovci në konferencën e parë të MASHTI-it të mbajtur për këtë vit.
Ndër të tjera Pupovci është pyetur edhe për numrin e fëmijëve të vaksinuar të moshës 12 vjeç.
“Do të ju raportojmë kur të kemi numrin sipas grup moshave se sa fëmijë janë të vaksinuar, por nga informatat nga shkollat që i kemi nuk është ndonjë numër që mund të krenohemi për momentin.Në këtë fushë ka nevojë pak më shumë të angazhohen prindërit dhe familjarët, sepse janë prindërit ata që japin pëlqimin deri te vendi ku duhet të bëjnë vaksinimin”tha ai.
Sipas tij ka vaksina, ka orar vetëm duhet të jenë njerëzit që duan t’i marrin ato. /InLajmi/