Sekretari për Marrëdhënie me Jashtë në PDK, Bernand Nikaj ka kritikuar ministren e Jashtme, Donika Gërvalla, e cila kishte deklaruar se është e nxënë duke u marrë me pasojat që kanë lënë qeveritë e kaluara.
Nikaj ka thënë se arsyetimi i Gërvallës është arsyetim i njerëzve që nuk i njohin institucionet, e i njerëzve që nuk janë marrë asnjëherë në jetën e tyre me politikëbërje.
Ai është shprehur se frikësohet se duke u qasur në këtë mënyrë, nuk do të mund të kryhet asnjë punë.
“Qeverisja nuk është proces linear, në qeverisje nuk ekziston lluksi që ne të themi po merremi me një çështje, po i pauzojmë të gjitha çështjet tjera dhe pastaj kur ta përfundojmë një çështje, i qasemi të dytës i qasemi të tretës. Ky nuk është arsyetim, është arsyetim i njerëzve që nuk i njohin institucionet, i njerëzve të cilët nuk janë marrë asnjëherë me politikëbërje në jetë të vetë dhe mendojnë që menaxhimi i një ministrie është si kur futemi të bëjmë punime në shtëpi, e kryejmë një pjesë, pastaj një tjetër, pastaj një tjetër, kjo nuk funksionon kështu. Unë frikësohem se duke ju qas kështu nuk kryhet asgjë”, ka deklaruar ai.
Nikaj në emisionin Frontal në T7, ka thënë se në politikë nuk duhet të pauzohet, e sidomos duke parë pozitën e Kosovës në arenën ndërkombëtare.
“Qeverisja është një proces ku shumë çështje duhet të menaxhohen, nëse ekziston kompatenca e udhëheqësve të atyre institucioneve, në mënyrë paralele. Ne si Kosovë posaçërisht duke pas parasysh situatën tonë ndërkombëtare, situatën sa i përket subjektivitetit tonë ndërkombëtarë, duhet të jemi dy herë më të organizuar dhe dy herë më të kujdesshëm që t’i qasemi të gjithë gjërave. Nuk mund të pauzohet politikbërja, nuk mund të pauzohet subjektiviteti ynë ndërkombëtarë”, ka shtuar ai.