Tashmë kur kanë mbetur pothuajse edhe dhjetë ditë që Ligji i ri për Paga të fillojë së zbatuari, shumica e shërbyesve civil në vend nuk e dinë koeficientin e tyre, rrjedhimisht nuk e kanë të qartë nëse do të marrin pagën e njëjtë, do të kenë rritje apo zvogëlim të pagës.
Ministri në detyrë i Administratës Publike, Mahir Yagcilar ka thënë se është në dijeni për këtë çështje, duke shtuar se është krijuar Komiteti Ekzekutiv, i cili është duke punuar në këtë drejtim.
“Është krijuar Komiteti Ekzekutiv, i cili është ka punon në këtë drejtim dhe besoj se do të përfundojë të gjitha çështjet e hapura”, ka thënë ai për FaktePlus.
I pyetur se a beson që brenda dhjetë dite do të përfundojnë këto procedura kur dihet që numri i shërbyesve civil është i madh, Yagcilar ka deklaruar se kjo gjë do të realizohet me kohë ashtu siç është planifikuar.
“Po, unë besoj se nuk është çështja e dhjetë ditëshit sepse punohet çdo ditë, kështu që do të realizohet me kohë si është planifikuar”, ka thënë Yagcilar.
Yagcilar, ka deklaruar se nuk mundet ta komentoj ligjin pasi që ai tashmë është përcaktuar.
“Unë nuk muj me komentu ligjin sepse ai ashtu është përcaktuar”, ka pohuar ai.
Ligji i ri për Paga pritet të rregullojë pagesën e të punësuarve që marrin rroga nga buxheti i shtetit, ku koeficienti më i lartë është 10 dhe më i ulëti është 1 dhe vlera monetare e koeficientit për vitin e parë do të jetë 239 euro.
Sipas afateve të parapara në Ligj, nga muaji dhjetor i këtij viti, punëtorët e sektorit publik pritet të marrin pagat sipas koeficienteve të rinj.
“Vlera monetare e koeficientit për vitin e parë të zbatimit të këtij Ligji do të jetë dyqind e tridhjetë e nëntë (239) euro. Për vitet e tjera buxhetore, vlera monetare e koeficientit përcaktohet me Ligjin vjetor të Buxhetit”, thuhet në nenin 23 të Ligjit, i cili përcakton vlerën e koeficientit dhe fondet për shtesa.
Në bazë të Ligjit, presidenti i Kosovës pritet ta ketë pagën më të lartë dhe do të paguhet sipas koeficientit 10, deri sa kryetari i Kuvendit, Kryeministri dhe Kryetari i Gjykatës Kushtetuese do të paguhen sipas koeficientit 9.
Llogaritur sipas koeficientit, presidenti i Republikës do ta ketë pagën 2,390 euro nga 2,672 euro që është paguar deri më tani, ndërsa kryetari i Kuvendit do të ketë pagën 2,151 apo 404 euro më pak se paga aktuale. Të njëjtën pagë prej 2,151 euro do ta ketë edhe kryeministri dhe kryetari i Gjykatës Kushtetuese nga 2,950 euro përkatësisht 3,108 euro që janë paguar aktualisht, shkruan Gazeta Express.
Sa i përket pagës së zëvendëskryeministrit, ai do të paguhet 2,031 euro nga 2,500 euro që është paguar deri më tani. Po ashtu, paga e një ministri sipas Ligjit për Pagat do të jetë 1,912 euro që do të jetë një zbritje page prej 88 euro.