Lëvizja Vetëvendosje në zgjedhjet lokale arriti ta përmbysë bastionin e LDK-së në Gjilan. Kryetari i kësaj komune, Alban Hyseni, megjithatë nuk e ka shumicën e nevojshme në asamble. Atij i duhet arritja e koalicioneve për të mundësuar zgjedhjen e kryesuesit të kuvendit komunal.
Në anën tjetër, nga Partia Demokratike e Kosovës bëjnë me dije se janë në negociata të avancuara me Vetëvendosjen për arritjen e marrëveshjes për bashkëqeverisje.
Ish kandidatja e PDK-së për kryetare të Gjilanit, Leonora Morina-Bunjaku, ka thënë se të 2 palët kanë pasur propozimet e tyre.
“Fillimisht ata kanë ofru 3 drejtori, ne kemi kërkuar drejtori dhe njërin prej posteve nënkryetarin ose kryesuesin. Në ndërkohe ne kemi ra në 4 drejtori dhe kryesuesin, tash po presim. Ata na kanë ofru tri drejtori. Jemi në pritje. Biseda e fundit ka qenë mbrëmë”, ka thënë ajo.
Më tutje, ajo ka thënë se nuk kanë diskutuar ende për ndarjen e drejtorive.
“Seanca e radhës për zgjedhjen e kryesuesit do të jetë më 7 janar. Deri atëherë nëse ekziston interesimi i 2 palëve me bërë një kompromis për herë të interesit të qytetarëve dhe zhvillimit të komunës, atëherë edhe mendoj se mund të kemi marrëveshje”, ka shtuar ajo për Indeksonline.
Kujtojmë se kryetari i Gjilanit, Alban Hyseni ditë më parë pati publikuar një listë të parimeve mbi bazën e të cilave mund të diskutohet me subjektet politike në Gjilan për bashkëqeverisje.