Ish-Kryeministri Sali Berisha ka komentuar deklaratat e bëra këtë të enjte (30 dhjetor 2021) nga Kryeministri Edi Rama dhe Lulzim Basha, në konferencat që mbajtën për shtyp.
Në një postim që ka bërë në rrjetet sociale Berisha tha se Rama foli për suksese imagjinare, ndërsa shtoi se sot aseti më i madh i kreut të qeverisë është Lulzim Brava.
“Në ditën e parafundit të vitit që po lëmë pas, shqiptarët dëgjuan njëri pas tjetrit buratinin e qeverisë dhe kukullën e tij që vazhdon të uzurpojë dhe për pak ditë PD në rolet e tyre 8 vjeçare. Si çdo vit buratini i qeverisë që kalon nga skandali në skandal, foli për suksese imagjinare, pasojat e të cilave kanë detyruar 500 mijë shqiptarë të largohen nga vendi. Në anën tjetër, kukulla e tij vazhdoi refrenin bajat të betejave që sapo kanë filluar dhe pas 8 vitesh humbjesh, deshtimesh dhe disfatash, u paraqitet shqiptarëve si ardhmja! Sot aseti më i madh i Edi Ramës është Lulzim Brava sepse përmes tij, Rama nuk u ka vjedhur vetëm të tashmen dhe të ardhmen por mbi të gjitha shpresën! Arsyeja e vërtetë përse rregjimi më i korruptuar i Europës sapo ka siguruar mandatin e 3-të është opozita e korruptuar e Lulzim Bravës dhe pazareve qe ai bën tash 8 vjet me sakrificat e demokratëve!“, shkruan lideri historik i PD.
Përsa i përket konferencës që bëri Basha, Berisha thotë se pasi humbi dhe vetë PD, Bashën e gënjen mendja se do mund të vazhdojë pazaret.
Ndër të tjera tha se në ditët në vijim, demokratët do të marrin në dorë fatet e tyre duke u bërë përmbarues të vullnetit të tyre politik, shkruan Oranews.
“Lulzim Brava ka humbur zgjedhjet, ka humbur qytetarët, ka humbur demokratët, ka humbur delegatët, ka humbur strukturat dhe vetë Partinë Demokratike, por i gënjen mendja se do mund të vazhdojë pazaret dhe marrveshjet e fshehta me Edi Ramën me vula dhe brava! Kjo ka marrë fund! Në ditët në vijim, demokratët do të marrin në dorë fatet e tyre duke u bërë përmbarues të vullnetit të tyre politik. Koha kur sakrificat e tyre nëpërkëmbeshin për pazaret e Lulzim Bravës kanë marrë fund. Ditët e para të Vitit te Ri do të shënojnë ndarjen përfundimtare nga pazar-humbjet dhe rikthimin e shpresës tek qytetarët dhe demokratët për një opozitë të vërtetë dhe fituese”, shkruan Berisha.