Partia Socialdemokrate ka bërë aksionin e radhës para Qeverisë së Kosovës, duke e hequr flamurin e Kosovës nga oborri i Qeverisë dhe duke e zëvendësuar me batanije, raporton InLajmi.
Aksioni i tyre u bë për shkak të krizës energjetike në vend dhe kthimit të reduktimeve me energji elektrike.
Zëdhënësja e PSD-së, Natyra Kuçi, ka deklaruar se batanijet janë vendosur në shenjë të dorëzimit të Qeverisë Kurti, ndaj krizës energjetike.
“Sikurse flamuri i bardhë i cili është simbol i dorëzimit, qebet që kemi vendosur janë simbol i dorëzimit të Qeverisë Kurti ndaj krizës së energjisë elektrike. Kemi një kryeministër i cili na udhëzon që mënyra për t’u mbrojtur nga i ftohti është qebja. Në anën tjetër kemi ministren e ekonomisë Artane Rizvanolli e cila fajin e hedh tek njerëzit të cilët po e përdorin rrymën për komoditet”, ka deklaruar Kuçi.
Kryeministri i vendit, Albin Kurti, ditë më parë ka deklaruar se kur është kthyer në shtëpi është ngrohur me batanije./InLajmi